Më shumë në autobus, se në klasë/ Nxënësit e Treganit në Elbasan prej 2019 mësim pasdite në Kuqan

Fëmijët nga fshati Tregan në Elbasan, kalojnë në rrugë dhe autobus thuajse të njëjtën kohë me atë në klasë! Shkolla e tyre u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019 dhe prej asaj kohe ata e zhvillojnë mësimin pasdite në fshatin Kuqan

E dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, shkolla 9 vjecare e fshatit Tregan qëndron e kyçur.

Rreth 200 nxënës të fshatit, prej asaj kohe detyrohen të udhëtojnë disa kilometra për të zhvilluar mësim pasdite në shkollën e fshatit Kuqan, siç tregojnë prindërit.

"Nëpër autobusa po shtypen kalamajtë.

Mbushte autobusi plot. Njeri nuk i shoqëron. Një herë i shoqëron mësuesi , njëherë jo," thonë ata.

Bashkia e Elbasanit u ka siguruar një mjet transporti nxënësve të Treganit, por që nuk është zgjidhja e kërkuar nga komuniteti atje.

"Në orën 13:30 fillon mësimi, në 16:00 mbaron. Çfarë mësimi është ai?!

Nuk bëhet mësimi i plotë. Atje dy orë e gjysmë bëhet," thonë ata.

Ndaj nga kryebashkiaku Gledian Llatja kërkojnë të mbajë premtimin që u ka dhënë.

"Ka ardhur kryetari i Bashkisë dhe ka thënë që do të bëjnë shkollë të re. Deri tani asgjë. Thanë që do ta marri një shoqatë dhe do ta ndërtojë me kushte e me të gjitha. Tani thonë s'ka fonde," thonë ata.

E kontaktuar, Bashkia e Elbasanit, thotë se se ka një project për rikonstruksionin e Shkollës së Treganit, dhe është në pritje të financimit.

Deri atëherë, nxënësit e fshatit Tregan do të jenë më shumë në rrugë se në klasat e Shkollës së Kuqanit.