Kërkohet më shumë nga Kosova në dialog, Kurti takohet me këshilltarët e Macron dhe Scholz

Iniciativa e Parisit dhe Berlinit për të ndërmjetësuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e ka mbyllur fazën e parë të misionit. Dy diplomatët dhe Miroslav Lajçak janë takuar me Kurtin ku bënë thirrje për më shumë dinamikë në dialog.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me përfaqësues të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak dhe këshilltarët për politikën e jashtme dhe siguri të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne.

Pas takimit prej dy orësh me Lajçak, Plötner dhe Bonne, Zyra e Kyreministrit në një komunikatë për media ka thënë se Kosova ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë për t’u angazhuar në dialog parimor.

Në komunikatë thuhet se gjatë takimit u theksua se Kosova ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti të premten, tha se diskutimi me të ishte i thellë dhe rëndësishëm për rritjen e dinamikës në dialog dhe për ta çuar përpara procesin.

Lajçak: Ne sapo kaluam më shumë se dy orë me kryeministrin Kurti, duke diskutuar për dialogun dhe se si të rritet dinamika e procesit dhe se si të shkohet përpara. Ishte një diskutim shumë i thellë dhe i rëndësishëm dhe mendoj se do ta kuptoni që nuk mund të hyjmë në detaje sepse, natyrisht, të njëjtin diskutim do ta kemi më vonë me presidentin Vuçiç.

Ndërsa, Jens Plotner, këshilltari i kancelarit gjerman dhe Emmanuel Bonne, këshilltar i presidentit francez, nuk pranuan të flasin para medieve.

Takimi vije pas propozimit në letrën e përbashkët të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron, drejtuar kryeministrit Kurti, që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Lajçak, në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi i dialogut të përparojë.