"Komunizmi përdhosi familjen dhe e moli atdheun si lopë", Rudina tregon 3 gjërat për të cilat jetoi Azem Hajdari
Intelektualë dhe bashkëkohës kujtuan sot Azem Hajdarin në një bashkëbisedim të organizuar nga Partia Demokratike në ‘Qytetin Studenti’.
E bija e heroit të demokracisë, ish-deputetja Rudina Hajdari, vlerësoi në fjalën e saj guximin e të atit si student në përballjen me regjimit e egër të komunizmit.
Hajdari: Është kënaqësi të rikthehemi këtu, pasi mendoj se ky shesh është nga më të shenjtët në Shqipëri, pasi solli shembjen e diktaturës.Disa në këtë shesh janë të rinj dhe Azemi ishte shumë i ri kur mori zemër dhe ngriti krye ndaj diktaturës. Kush e ka jetuar atë kohë, e di fare mirë se çfarë guximi duhej për tu përballur me regjimin në kushtet e një studenti të ardhur nga Tropoja.Kush e ka jetuar atë kohë e di fare mirë çfarë do të thotë, të organizojë studentët dhe të thoje ‘Poshtë Komunizmi’, ‘Liri demokraci’.
Çfarë duhet të bëjmë ne sot, që të gjejmë atë guxim dhe të ndjekim atë rrugë. Në jetën time, kam deduktuar se Azemi vlerësonte dhe jetonte për tri gjëra, familjen, atdheun dhe lirinë. Ai e urrente komunizmin mbi çdo gjë tjetër.E dini pse, sepse komunizmi përdhosi familjen duke i vendosur kundër njëri-tjetrit. Komunizmi e përdori atdheun si lopë për ta mjelë dhe për të jetuar mirë vetëm një grusht njerëzish në bllok dhe duke zhytur një grusht njerëzish në varfëri.Komunizmi ua mohoi lirinë shqiptarëve të thjeshtë, i la pa fjalë, mendim dhe pronë.
Ai zgjodhi të luftonte këtu. Le të ndalemi pak dhe të krahasojmë realitetet. A nuk i ngjason Rilindja komunizmit, a nuk i ka ndarë për së gjalli familjet shqiptare duke nxitur valën më të egër migratore, a nuk jaë ata që po promovojnë antivlerat? Unë mendoj se po. A nuk janë ata duke grabitur çdo cep dhe cent të vendit? Thurrja ime për të rinjtë që janë këtu është: Refuzojeni krimin, nënshtrimin, grabitjen dhe servilizimin. Ngrini kokën dhe revoltohuni. Mos e mendoni emigrimin si zgjidhje por si problem.
