Lapaj: S’jam në garë me Berishën për protesta, Rama i sheh katet pa leje kur i prishen interesat

I ftuar në “Drejt” nga Luan Rama në RTV Ora, avokati dhe aktivisti Adriatik Lapaj u shpreh se nuk është në garë me Berishën për protesta.

Ai tha Rama nuk i sheh pallatet pa leje, edhe pranë zyrat së tij, por i sheh kur prishën interesat me këta persona që kanë ndërtuar pa leje.

Lapaj: Nuk jam në garë me Berishën. Mund të jem në garë po hyra në zgjedhje, por shumë mirë që është bërë aktive opozita.

Në të gjithë vendin edhe në Tiranë ka ndërtime pa leje. Le të mos bëjmë sikur nuk i dimë. Rama këtu i ka pasur, shumicën i ka rreth zyrës së tij. Kur janë në periudha mjalti nuk duken ato katet pa leje, por kur prishen për interesa të caktuara bëhen të dukshme ato pallatet pa leje.