Italia nisi vitin e ri shkollor. Sfidat: Post pandemia, mungesa e personelit, nxënësve dhe kriza energjisë

Dhe në Itali nisi sot viti i ri shkollor dhe pse me data që ndryshojnë nga një rajon në tjetrin e që në këtë javë të dytë të shtatorit ka kthyer në klasa, nxënës e studentë në 7 rajone.

Janë mbi 7 milionë nxënës e studentë italianë që do të nisin vitin shkollor 2022-2023 me alarmin e sindikatave që sinjalizojnë mungesën e 200 mijë mësuesve e pedagogëve, 500 drejtorë shkollash e 15 mijë operatorë teknikë në administratë.

Pas dy vitesh pandemike, shkollat italiane i rikthehen sistemit tradicional duke eleminuar mësimin online në rastet e pozitivitetit nga Covid 19 e me sfida të forta si kriza e energjsë, mungesa e personelit arsimor e numri çdo vit e në ulje i nxënësve e studentëve.

Në fund të muajit gusht, Ministria italiane e Arsimit me një urdhëresë speciale eleminoi për këtë vit të ri mësimin online për ata nxënës që gjatë vitit do të preken nga koronavirusi e hoqi detyrimin e maskave mbrojtëse në klasa.

Por rregullat e reja do të balancohen nga nevoja për të qënë të kujdesshëm në respektimin e distancimit social në rastet e frekuentimit të ambienteve të mbipopulluara e nga ecuria që do të ketë pandemia.

Por menaxhimi post-pandemik nuk është e vetmja sfidë e sistemit shkollor italian që sipas Sindikatës së personelit arsimor duhe t të përballet me mungesën e rreth 200 mijë mësuesë, pedagogëve e drejtues shkolle.

"Ndaj një liste mësuesish zëvendësues që janë në pritje të nënshkrimit të një kontrate pune, qëndron situata e rreth 50% të katedrave të garantuara e 50% të tjera që do të qëndrojnë të mbyllura për mungesë docentësh", është alarmi i lëshuar nga Sindikatat e shkollave të cilët sinjalizojnë dhe mungesën e punonjësve në administratës shkollore si sekretarë e operatorë teknikë.

Qeveria e re e pas votës së 25 shtatorit do i duhet të zgjidhë ngërçin e kontratave me docentët e personelin arsimor.

Ligji i buxhetit i aprovuar nga qeveria Draghi ka parashikuar rreth 25 miliardë euro për të reformuar sistemin shkollor italian e përballuar koston e kontratave të reja, me një shtesë me 123 euro më shumë në muaj për mësuesit e 75 euro më shumë për personelin e administratës.

Në këtë këtë situatë krize energjitike që ka përfshirë të gjithë ekonominë italiane, një tjetër sfidë për drejtorët e shkollave është garantimi i sistemit të ngrohjes e energjisë në muajt më të ftohtë të vitit.

Ministria Italiane e Arsimit ka lënë në kompetencë të drejtuesve  shkollore propozimin për të mbajtur mbyllur mësimin gjatë ditës së shtunë, në ato Institute që e kanë të përcaktuar në programin mësimor.

Ky vit i ri shkollor shënon një shqetësim madhor për shoqërinë italiane që sipas të dhënave të shpërndara nga Ministria e Arsimit janë 300 mijë nxënës e studentë më pak rrjedhë e krizës demografike të vendit, popullsisë në plakje e numrit në rritje të minorenëve që jetojnë në varfëri absolute.

Në klasat e para sivjet janë regjistruar 130 mijë nxënës më pak e sipas Organizatës së Sipërmarrësve Agroushqimore janë 540 mijë fëmijë italianë nën moshën 15 vjeç në nevojë varfërie ushqimore e Save the Children informon se në Itali janë 1.4 milionë minorenë në varfëri absolute, 14.2 % me shumë se të dhënat e 2020, pra dy vite parapandemike.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.