Qëlluan drejt anijes që shkeli ujërat, Greqia dhe Turqia "përplasen" sërish

Turqia dhe Greqia japin informacione të kundërta për të shtënat kundër një anijeje turke në zonën kufitare. Këto të shtëna kanë tensionuar edhe më shumë gjendjen mes tyre.

Sipas informacioneve nga Greqia, roja bregdetare greke ka qëlluar me të shtëna paralajmëruese ndaj anijes turke, për shkak se kjo anije po lëvizte në zonat ujore greke pranë ujdhesës Lesbos.

Kapiteni i anijes "Anatolian” kishte refuzuar më parë kërkesën e autoriteteve greke për kontrollin e anijes. Anija më pas lundroi në ujërat e afërta turke, kumtoi Qendra e rojeve bregdetare greke të dielën në mëngjes.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Rojet bregdetare turke u informuan për incidentin, i cili ndodhi të shtunën nga mesdita, kumtuan autoritetet greke.

Por, versioni turk i ngjarjeve është i ndryshëm: Të shtunën, media turke, duke cituar një pjesëtar të rojes bregdetare turke, raportoi se drejt anijes "Anatolian" është qëlluar njëmbëdhjetë milje detare larg ishullit turk Bozcaada, në ujërat ndërkombëtare.

Autoritetet turke thonë se dy anijet greke të përfshira në këtë incident nuk i kanë respektuar ligjet ndërkombëtare. Sipas televizionit shtetëror turk TRT, anijet greke janë larguar nga vendi i ngjarjes kur rojet bregdetare turke kanë mbërritur atje.

Roja bregdetare turke shoqëroi "Anadolianin”, i cili lundronte nën flamurin e Komorës. Zyra e prokurorit vendor ka nisur hetime, njofton Anadolu News Agency.