Zgjedhjet në Suedi/ E djathta në avantazh, rezultatet dalin të mërkurën
Të dielën suedezët shkuan në kutitë e votimit për të zgjedhur qeverinë e tyre të re. Deri më tani, në avantazh është blloku i së djathtës. Socialdemokratët që janë në pushtet mbeten parti e parë dhe kryesuese, por nuk mund të formojnë qeverinë. Rezultatet pritet të dalin të mërkurën.
Të dielën suedezët u drejtuan tek kutitë e votimeve të zgjedhin qeverinë e tyre të ardhshme.
Ndërsa është numëruar një pjesë e rëndësishme e votave, e djathta është në avantazh dhe mund të formojë qeverinë e radhës.
Mediet suedeze shkruajnë se rezultatet përfundimtare mund të dalin të mërkurën. Në bazë të rezultateve, socialdemokratët që janë në qeverisje mund të jenë sërish parti e parë, por blloku i majtë nuk formon dot shumicën qeverisëse.
Ndërkohë, e djathta ka fituar pikë te publiku suedez. Kriminaliteti dhe emigracioni ishte temat qendrore të së djathtës suedeze dhe ngjan se kanë marrë përkrahje me vota nga qytetarët.
Rezultati pritet të jetë i ngushtë, 2 apo 3 deputetë ndryshim. Demokratët suedezë, parti e cilësuar e së djathtës ekstreme, kanë marrë deri më tani 21% të votave, duke kapërcyer opozitën tradicionale konservatore dhe të moderuarit, për t'u bërë partia e dytë më e madhe në parlament.
Por, sërish, demokracia e konsoliduar është tipar i vendeve nordike. Programi do të negociohet me partnerët e koalicionit, teksa udhëheqësi i të djathtëve, i akuzuar pwr ekstremist, ka lajmëruar se nuk do të jetë ai kryeministër, por do ta lërë vendin për një udhëheqës të moderuar.