Mbyllet centrali bërthamor i Ukrainës në Zaporizhzhia
Zyrtarët e energjetikës ukrainase kanë njoftuar se reaktori bërthamor në Zaporozhia është fikur. Ka qenë një punë intensive për të dialoguar me rusët dhe ukrainasit që reaktorët bërthamorë të mos përdoreshin si pengje lufte, tha një zyrtar i lartë i OKB-së.
Frika e goditjes me raketa të centraleve bërthamore në Ukrainë ka sjellë mobilizimin e të gjithë aktorëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë që të shmanget një krizë tjetër si ajo e Çernobilit.
Luftimet afër vendndodhjeve të reaktorëve në Ukrainë janë ndjekur me vëmendje nga organizatat ndërkombëtare dhe aktorët ndërkombëtarë dhe kanë bërë thirrje që të tregohen të kujdesshëm në ruajtjen e këtyre ndërtesave të rëndësisë së veçantë.
Palët ndërluftuese akuzojnë njëra – tjetrën se kanë për qëllim të shkaktojnë një aksident nuklear duke goditur me raketa pranë centraleve bërthamore.
Së fundmi, reaktori i fundit në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainën jugore është mbyllur plotësisht dhe është shkëputur nga rrjeti. Lajmin e njoftoi operatori ukrainas i energjetikës.
"Marrëveshjet për ftohjen dhe transferimin e tij në një gjendje të ftohtë janë duke u zhvilluar," tha Energoatom, duke shtuar se ditët e fundit reaktori i gjashtë dhe i fundit në funksion në termocentral kishte furnizuar ekskluzivisht me energji elektrike nevojat e brendshme të objektit, sepse "të gjitha linjat e transmetimit që lidhin Zaporizhzhyan me sistemin energjetik të Ukrainës janë dëmtuar për shkak të granatimeve ruse."
Mbikëqyrësi i OKB-së për çështjet nukleare Rafael Grossi, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, tha se ishte një "imperativ absolut" për të krijuar "një zonë mbrojtëse të sigurisë bërthamore" duke theksuar se një termocentral bërthamor "nuk mund të jetë kurrë peng lufte.

