Barrierë e re për romët: S'dimë të përdorim e-Albania dhe nuk kemi telefona për regjistrimin e fëmijëve në shkolla

Varfëria e skajshme dhe emigracioni masiv janë shkaqet e lënies së shkollës nag fëmijë e komunitetit romë. Por si të mos mjaftonin këto problematika, familjet rome po përballen edhe me vështirësitë në regjistrimin e fëmijëve në shkolla. Prindërit thonë se jo vetëm nuk dinë të përdorin portalin e-Albania por nuk kanë as telefona celularë.

Të hënën e 12 shtatorit mijëra nxënës pritet që tu drejtohen bankave për të nisur vitin e ri shkollor 2022-2023.

Por në klasa nuk pritet të hyjnë dhjetëra fëmijë të komunitetit romë në Fier.

Përfaqësues të këtij komuniteti thonë se nxënësit nuk kanë mundur që të regjistrohen për shkak se nuk dinë të përdorin shërbimin online të e-Albanias.

"Hasim vështirësi, problemi është për klasën e parë. Prindërit nuk dinë të hapin e-Albania për të kryer regjistrimin."

Vetë prindërit thonë se jo vetëm nuk dinë të përdorin shërbimin, por nuk posedojnë një aparat celular.

"Nuk marrim vesh nga telefonët, jemi pa shkollë."

Të tjerë fëmijëve pritet tu ndërpritet arsimimi për shkak të kushteve ekonomike.

"Jam shtresë e varfër, fëmija ime do të vishet, të hajë dhe të pijë."

Emigracioni masiv i komunitetit rom ka çuar në reduktimin e ndjeshëm të këtyre famijeve.

"Janë 200 fëmijë që kanë braktisur shkollën për çështje ekonomike, janë në azil në Francë dhe Gjermani."

Sipas përfaqësuesve qasja e veshtirë e këtij komuniteti në arsim përbën një pengesë madhore për integrimin e tij në shoqëri.