Rama i kërkoi Muhamet Rrumbullakut t'ja gjejë, Berisha: Vis Martinajn kërkoje te lojërat e fatit, ta thotë Olsi

Ndërsa kryeministri Edi Rama ja la detyrë kreut të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku gjetjen e Ervis Martinaj, qoftë i gjallë apo i vdekur, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka një adresë në ndihmë të shefit të qeverisë.

Sipas tij, Martinaj duhet kërkuar te ligjërimi i basteve online dhe vëllai i kryeministrit Olsi Rama.

Berisha: Sot Edi Rama porosiste Met Rrumbullakun, i jepte porosi të veçanta për Vis Martinaj. Ja tregoj unë ku është Vis Martinaj, është te lojërat e fatit. Shko pyet Olsin  dhe thotë Olsi. Pyet kë të duash, njerëzit e kanë të qartë si drita e diellit. Ai ishte njëshi i lojërave të fatit, i vëllai i tij është hija e tyre dhe sa ishte ai ishin ilegale, iku ai… se çfarë ndodhi me të të pyesë lojërat e fatit jo Met Rrumbullakun. Se çfarë ndodhi me të askush se di por dimë që lojërat u bënë të ligjshme tani. Gjithçka lëviz me një trajektore që vjen nga kupola dhe zbret poshtë.

Berisha akuzoi Ramën se zbaton një ideologji droge të cilën e propagandon Soros.

Berisha: Ky multimiliarder merr nisma në Organizatën e Kombeve të Bashkuara sëbashku me qeveritarë si Rama për të ndaluar luftën kundër drogës. Nuk mund të shpjegohet ndryshe. Ministri i larë i rendit i kësaj partie ishte skafisti Saimir Tahiri, ministri i dytë i rendit ishte përfaqësues i klanit Xhafa, ministri i tretë i rendit është velisti Bledi Çuçi i cili mban këshilltar njërin nga arkitektët më kryesorë të kanabizimit të Shqipërisë.

Ish-kryeministri tha se sot krimi godet kudo por e vërteta është se sot ai qeveris. Në funksion të tij renditi dhe tre nismat e fundit: Pasaporta e artë, amnistia fiskale dhe rikthimi i basteve online.

Berisha: Policia e Shetit, rendi dhe siguria janë viktimë. Nuk them se policia ka problemet e veta por ato janë viktimë e një politike të inkurajuar, të ndjekur, nga një qeveri që ka raport të veçantë me drogën dhe krimin. Sot krimi godet kudo por e vërteta është se sot ai qeveris. Merrni pak tre lëvizjet e fundit. Asnjëra nuk vjen nga policia. Pasaporta e artë vjen nga Edi Rama, kush ka kaq do marrë pasaportën e artë. Trafikantët kanë 10-fishin me aq. Ligji për amnistinë fiskale, mbështetja më e fuqishme. Këtu falimentojnë çdo ditë biznese të ndershme nga taksidarë brutalë që i gjobisin për çdo gjë kurse ai që i bën paratë me aktivitet kriminal ai lejon ti sjellë. Ky është një problem i madh dhe në raportet e vendit tonë me vendet e tjera.

Krimi shqiptar është bërë shumë i frikshëm për partnerët tanë.Presidenti i Francës e ka shprehur në mënyrë të përsëritur këtë me një paqyrim dhe për Kosovën, duke thënë se krimi shqiptar është aq i rrezikshëm dhe s'kemi pse ti japim vizat ndonëse Kosova i ka treguesit pakrahasismisht me mirë se Shqipëria. Përveç kësaj një nga tre faktorët më madhorë të largimit nga Shqipëria është pasiguria për jetën dhe pronën në këtë vend. Shqipëria është një vend i pasigurt. Një vend në të cilin bandat godasin, në parlament bëjnë ligjet, në qeveri bëjnë vendimet, në rrugë shkrehin breshëritë por në fakt një lidhje të madhe mes të trijave ekziston.

Gjatë një takim me ekspertë dhe gazetarë për sigurinë në vend, Berisha tha se situata aktuale e policisë së shtetit është dëshpëruese por shtoi se është optimist pasi figurat me integritet në rdhatë e policisë së shtetit nuk mungojnë.

Berisha: Situatë dëshpëruese në pamje të parë por jam optimist dhe pavarësisht nga shkalla e thellë e dëmtimit të policisë së shtetit, nga rekrutimi dhe angazhimi i banditëve në polici, trafikantëve, të droguarve përsëri aty ka me qindra e mijëra burra dhe gra me uniformë të cilët me padurim presin të zbatohet ligji.