Tjetërsimi i 10 mijë metrave katrorë tokë në Sarandë, gjykata liron të fundin e mbetur në qeli

Personi i fundit i mbetur në qeli për skandalin e tjetërsimit të 10 mijë metrave tokë në sarandë, është liruar nga burgu. Gjykata e këtij qyteti ka vendosur pak ditë më parë masën arrest shtëpie ndaj noterit Aleko Anagnosti duke shfurizuar masën arrest shtëpie të vendosur ndaj tij më herët. Për këtë çështje janë akuzuar edhe drejtori i Urbanistikës dhe disa biznesmenë të cilët gjithashtu janë lënë të lirë.

Gjykata e Sarandës ka liruar personin e fundit që kishte mbetur në burg për çështjen e tjetërsimit të mbi 10 mijë metra katror tokë, përmes dokumentave të falsifikuara.

Aleko Anagnosti, me detyrë noter në Sarandës, prej 1 qershorit mbahej në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Por në 31 gusht, përmes një vendimi të marë nga gjyqtarja e Sarandës, Suela Xhani, ai ka lënë qelinë, duke dalë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Pak ditë para kësaj date, gjykata nxori nga burgu dhe biznesmenin Behar Muçobega, kundrejt një garancie pasurore prej 25 milion lekë të vjetra.

Ora News mëson se Anagnosti ishte personi i vetëm që qëndronte në burg për këtë ngjarje, pasi të proceduarit e tjerë si Pandi Zhonga me detyrë Drejtor i Urbanistikës në Bashkinë Sarandë, zyrtarë të hipotekës Sarandë dhe tre biznesmenët përfitues të 10 mijë metrave katror, ishin liruar më parë.

Noteri Anagnosti, konsiderohët nga prokuroria e Sarandës, si personi kryesor nga kishte nisur falsifikimi i dokumentave të pronës.

Për shkak të pozicionit të rëndësishëm të tij, në këtë skemë kriminale, në mesnatën e 5 korrikut 2022, zyra ku ushtronte funksionin e tij të noterit, ju vu flaka duke dëmtuar një pjesë të dokumentacionit që ndodhej brenda.

Për këtë ngjarje policia e Sarandës, identifikoi dhe arrestoi shtetasin Marjo Sinani, i cili gjatë marrjes në pyetje pranoi se ishte paguar 400 euro nga një person që nuk e njihte.

Gjithçka mësohet se niste nga Noteri Aleko Anagnosti dhe biznesmenët që kanë prodhuar dokumenta të falsifikuara, me të cilat është aplikuar dhe marrë leje ndërtimi në Zyrat e Bashkisë Sarandë.

Në fillimin të muajuit qershor, Prokuroria zbuloi dhe arrestoi disa zyrtarë dhe biznesmenë që kishin marë tokën shetërore. Në këtë skemë ishin implikuar, Pandi Zhonga, drejtues i Urbanistikës Sarandë, juristja e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Rovena Alikaj dhe noteri Aleko Anagnostini.

Pjesë e skemës janë dhe Argonida Canaj, Fredi Merkuri dhe Valter Llomi të cilët ishin përfitues të pronës, së bashku me vëllezërit Behar dhe Bedri Muçobega.

Hetimet për kthimin e lulishtes në truall nisën në vitin 2020, ndërsa zyrtarët dhe bizmesnenët e përfshirë akuzohen për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Sipërfaqja e tokës prej 10 230 m2, e ndodhur  në zonën Turizëm-Kanal i Çukës, në afërsi të vijës bregdetare është vënë nën sekuestro, ndërsa hetimi vijon për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkangjitur me linkun e artikullit origjinal.