Rama kritikon Gledis Nanon: E papranueshme të zbulohen parcela me kanabis, Ardi Veliu e la fushën e pastër
Kryeministri, Edi Rama, rendit si një nga dështimet e Gledis Nanos në krye të Policisë së Shtetit edhe luftën me kanabis.
Rama tha se Ardi Veliu e la fushën e pastër kur u largua nga detyra dhe se është e papranueshme që në vitin 2022 parcela me kanabis, për të cilat për më tepër, nënvizoi ai, u është thënë partnerëve italianë se pamjet fotografike të avionëve të tyre janë të paqarta.
Rama: Është e papranueshme që të zbulohen në vitin 2022 parcela me kanabis, për të cilat për më tepër u është thënë më parë partnerëve tanë të çmuar italianë se pamjet fotografike të avionëve të tyre janë të paqarta. Kanabisi i paligjshëm nuk duhet të ketë dhe nuk ka arsye të ketë shans më në këtë vend, pasi faktikisht drejtuesi i mëparshëm i policisë përpara atij që zëvendësohet sot, e la fushën të pastër jo bazuar në ato që thoshte apo thonin oficerët e policisë por bazuar pikërisht te partnerët italianë te ato fotografitë që ishin shumë të qarta dhe janë shumë të qarta.
Le të jemi të qartë sot këtu në sy të publikut, sot fushë me kanabis përjashto ca rrënjë nëpër shkrepa, por fushë si ato që u zbuluan për të cilat partnerët italianë thoshin i keni aty dhe nga policia këtu u thuhej jo nuk janë të qarta mund të mbillet vetëm me bekimin e shefit të komisariatit dhe të kujt i mbron atij kurrizin, shpatullat, gjoksin në këmbim të haraçit, nuk ka asnjë mundësi tjetër. Është e papranueshme të imagjinohet, jo më që të ndodhë, që të sulmohen biznese nga ai segment i policisë së shtetit që duhet të merret me krimin ekonomik dhe kjo mund të ndodhë vetëm kur trimat që marrin pjesë në këtë reprezalje banditeske në dyert e bizneseve kanë bekimin e shefit apo të shefit të shefit të tyre se nuk ka si ndodh ndryshe.
Prandaj pastrimi i mëtejshëm i policisë duhet të fokusohet te shefat që japin bekime në këmbim të haraçeve dhe që e kanë vendin në burg, jo në komisarit, jo në drejtori, dhe jo në rreshtat e parë të policisë së shtetit se kush i sheh nga punonjësit e policisë nuk kupton më asgjë pse duhet ai apo ajo të besojë te ligji, puna, profesionalizmi, pasioni, merita.
Deklaratat Rama i bëri gjatë prezantimir të Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtuesve të rinj të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore e të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
