“Përdorimi i grupeve të krimit ka paralizuar policinë” Salianji: Rama arkitekt i shkatërrimit të tyre, përdorim abuziv në zgjedhje

Deputeti i Partiesë Demokratike Ervin Salianji thotë se “përdorimi i grupeve më të errëta të krimit të organizuar në këmbim të lehtësirave të mëvonshme e ka paralizuar policinë e shtetit”.

Salianji në një postim në rrjetin e tij social Facebook shkruan se Edi Rama është arkitekti i shkatërrimit dhe inkriminimit të policisë së shtetit ashtu siç është dhe përfituesi kryesor i angazhimit të tyre abuziv në fushata elektorale.

Postimi i plotë:

Edi Rama është arkitekti i shkatërrimit dhe inkriminimit të policisë së shtetit ashtu siç është dhe përfituesi kryesor i angazhimit të tyre abuziv në fushata elektorale për të grumbulluar vota në kurriz të shkallmimit të shtetit! Përdorimi i grupeve më të errëta të krimit të organizuar në këmbim të lehtësirave tē mēvonshme e ka paralizuar policinë e shtetit në rastin më të mirë dhe shpesh ka krijuar perceptimin që ska kufij por bashkim mes shtetit dhe mafias!

Arsyet e ndryshimeve në polici janë në funskion të këtij objektivi, të goditjes selektive, të përdorimit të policisë, të goditjes së kundërshtarit politik apo mediave që nuk kontrollon, të lehtësimit të grupeve kriminale duke ju treguar që dera qëndron e hapur, ka më shumë rëndësi për qeverinë që dera për krimin tē jetë më e hapur se dera për partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë!