Rama “fik” Veliajn: 4-5 mijë metra pa leje në sheshin “Skënderbej”, konfiskim e burg për ndërtuesit
Kryeministri Edi Rama në një dalje për mediet nga ministria e Brendshme u shpreh se është e papranueshme që të lulëzojnë katet në pallatet që të kamurit ndërtojnë sa në det, sa në mes të Tiranës.
Ai paralajmëroi se këto ndërtime, sidomos në qendër të Tiranës që janë pa leje do të konfiskohen për interes publik dhe ndërtuesit do të ndiqen edhe penalisht.
Rama: Policia duhet të angazhohet fuqishëm dhe të mbështetur nga IKMT-ja dhe Kadastrën, me bashkitë e Tiranës që të shemben ose të konfiskohen për interes publik pallatet, ndërtesat dhe qendrat tregtare apo hotele që janë në shkelje të ligjit. Këtë shkruan ligji. Kjo nuk është zbatuar. Të gjitha katet apo metrat katrorë që do të konfiskohen do të shkojnë për strehim social apo mjedise pune për institucione që akoma rrinë me qira, nga paratë e taksapaguesve, se nja 4-5 mijë metra katrorë janë këtu ngjitur në sheshin “Skënderbej”. Do t’i marrim ose do t’i japim.
Ndërtuesit të mos përdorin blerësit apo klientët si pengje, as të mos mendojnë se ka rrugëdalje tjetër përpos asaj të ligjit, që thotë se ndërtimet pa leje për qellim përfitimi, për milionerët që ndërtojnë pa leje e që hapen majtas djathtas, do të shemben ose do të konfiskohen për interes publik, plus do të paguhet gjobë, plus do të ketë ndjekje penale. Ju kemi dhënë mundësinë e parablerjes me çmimin real të tregut dhe jo çmimit që deklarojnë atje apo edhe mundësinë që ta dhurojnë si një mundësi për të larë mëkatin për popullin dhe shtetin, çdo kat dhe metër katrorë shtesë që kanë.
