Shtyhet paketa e ndihmës për qytetarët
Qeveria ende nuk është e vendosur se kur do të nisë paketa e dytë e ndihmës për familjet në nevojë me qëllim përballimin e krizës së rritjes së çmimeve.
Ministrja e financave Delina Ibrahimaj në paraqitjen e aktit normative për ndryshimin e buxhetit të shtetit ka bërë të ditur se brenda pak ditëve do të bëhet e ditur se kush do të përfitojë nga fondi.
“Këto masa do t’i drejtohen atyre kategorive që janë më në nevojë. Do të anunçojmë në pak ditë.”
Por rritja e çmimeve ka sjellë edhe më shumë të ardhura në arkën e shtetit.
“Rreth 20 miliardë lekë vijnë si pasojë e rritjeve të çmimeve dhe kursit të këmbimit. Ndërsa 34 miliardë lekë vjen si pasojë të faktorëve të tjerë.”
Madje në komisionin e ekonomisë ajo ka theksuar se përbën 40 për qind të totalit të shtesës financiare.
Ibrahimaj e konsideron rritjen ekonomike të vendit të qëndrueshme ndaj ka vlerësuar se ky është shkak që nuk ka pasur ndryshim të sistemit të taksave.
“Kemi vendosur të mos shtojmë dhe të mos heqim taksa.”
Gjatë diskutimeve Ministrja e financave ka deklaruar se me nisjen e debatit për buxhetin e vitit 2023 do të diskutohet edhe tatim fitimi për kategori të ndryshme të biznesit.
