Unaza e Madhe, hapet për qarkullim nënkalimi dhe rrethi i ri tek TEG, por punimet s'kanë përfunduar

Hapet për qarkullim të plotë porta hyrëse lindore e kryeqytetit.

Zv/kryeministrja Balluku deklaroi se mbi 85 % e punimeve janë të përfunduara.

 “Sot mbi 85% e punimeve janë të përfunduara. Nuk jemi më në kushtet e hapjes provizore. Policia e Shtetit ka marr në dorëzim mbikëqyrjen e aksit dhe mbeten punë të vogla që kanë të bëjnë me gjelbërimin, ndriçimin, me rrugët lidhëse paralele me veprën, që do të përfundojnë sipas kontratës" tha ajo.

Shpresohet se me këtë rrugë të çlirohet ngërçi i madh i krijuar nga rritja e ndjeshme e trafikut dhe garanton lëvizjen e pandërprerë të automjeteve në autostradën Tiranë – Elbasan, duke krijuar mundësinë për hyrje-dalje nga autostrada Tiranë–Elbasan për Unazën e Madhe të Tiranës, si edhe hyrje-dalje nga autostrada Tiranë–Elbasan për zonën e banuar në Kodrat e Saukut dhe fshatrat Baldushk e Petrelë.

Sa i përket unazës së Madhe, drejtori i ARRSH-së tha se ka filluar puna në 5 lote. Pra 2 lote në zonën e Paskuqanit, segmenti që është tek IKV-ja dhe segmenti tjetër që është në zonën e Shkozës.

Vështirësi janë zonat në Kamëz, informale dhe formale ku ka probleme.

“Nga 130 objekte të palegalizuara, sot janë vetëm 10 objekte që nuk kanë nënshkruar marrëveshje me bashkinë për tu trajtuar sipas VKM që nxorëm, me 3 vite qera e pastaj me marrjen e një banese sociale në pronësi. Nëse në bashkinë e Kamzës kemi ecur mirë me pjesën e atyre të palegalizuar, në pjesën tjetër kemi ecur mirë me shpronësimet”, - sqaroi drejtori i ARRSH, Berberi.

Nga ana e tij Kryeministri Rama u shpreh: “Çështja është që askush nuk mund ta marrë peng projektin. Formula është shumë pozitive dhe u bënë disa kohë që kemi hyrë në këtë formulë pozitive sepse duam të stimulojmë edhe strehimin social, duam të stimulojmëgjithë qasjen tonë solidare me gjithë grupet shoqërore dhe absolutisht dikush që është në mes të rrugës, siç ishin dhe ata tek 5 Maji dhe që merr një ofertë bujare, solidare, sociale që pavarësisht se është komplet pa leje, pavarësisht se nuk ka as tokën aty e asgjë, të trajtohet me qera e me një kontratë të qartë që do trajtohet pastaj me strehim social në momentin që do kemi në dispozicion apartamente, sepse futet në një listë ku ka prioritet, të thotë “jo nuk dua”, kjo nuk funksionon. Siç nuk ka funksionuar as tek Bulevardi i Ri, as tek 5 Maji, nuk ka për të funksionuar as aty.

Po t’i pyesësh sot pjesën dërmuese të atyre që pengojnë këto zhvillime, e kuptojnë që kanë humbur kohë dhe kanë stresuar veten e familjen kot, sepse janë realisht të sistemuar siç u është dhënë jo fjala por marrëveshja në dorë. Nuk mund ta mbajmë ne peng gjithë këtë qytet për njerëz që kujtojnë se me gjuhën e forcës dhe duke qenë komplet në paligjshmëri e të stimuluar politikisht, mund të bëhen pengesë, faktikisht bëhen thjeshtpengje që përdoren për sherrin e radhës”.