E shpëton makina, 56-vjeçari në Durrës qëllon me kallashnikov në drejtim të fqinjit

Policia e Durrësit ka shmangur përshkallëzimin e një konflikti mes dy fqinjëve. Në pranga ka rënë L. P., 56 vjeç, banues në lagjen nr. 5, Durrës.

Ky shtetas gjatë një konflikti të çastit, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov në drejtim të fqinjit të tij, shtetasit K. J., 40 vjeç, i cili gjatë të shtënave, ka arritur të largohet me automjet dhe si pasojë është dëmtuar vetëm automjeti i tij nga të shtënat.

Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit tip kallashnikov dhe 2 krehëra me fishekë luftarakë në to.

Vijin puna nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.