Krimi njësh me politikën, Mesila Doda: Duhet të rikthejmë normalitetin në vend
“Opozita është e përçarë, gjithsecili me hallet e veta. Kemi parë skenat me sharje dhe fyerje mes përfaqësuesve të opozitës. Qeveria nuk është normale, ajo që duhet të menaxhojë të mirat publike dhe jo të çojë buxhetin në duart e disa njerëzve. Shkurt e gjithë kjo situatë i ka kaluar rregullat bazë të bashkëjetesës në demokraci. Bashkimi i politikës me krimin, madje njësimi më të i ka dhënë fund gjuhës politike".
Kështu e përshkroi realitetin politik aktual deputetja Mesila Doda në foltoren e Kuvendit duke theksuar se nuk do të duhej të ishte i tillë.
Doda ngriti me shqetësim faktin se edhe pse Shqipëria çeli negociatat, nuk u fol asnjë fjalë në Kuvend se çfarë kapitujsh do të hapen, që edhe opozita të jape kontribut e të gjejë sinergjinë e saj të brendshme.
"Maxhoranca duhet të zhdukë çdo arrogancë dhe të mos ngulë më thikën e përçarjes" deklaroi ajo.
Deputetja Doda u tërhoqi vëmendjen ligjvënësve se pa rregulla të qarta në çdo fushë, ky vend do të ketë një të ardhme tragjike.
"Duhet të rikthejmë normalitetin në vend, të ketë rikthim të qeverisjes normale dhe të shkatërrojmë bashkëpunimin e krimit të organizuar me qeverinë".

