Hapet porta lindore që lidh Tiranë me Elbasanin, Rama: Projektet nuk i ndryshojmë

Porta hyrëse lindore e kryeqytetit tashmë hapet për qarkullim të plotë.

Automjetet mund të kalojnë pa qenë nevoja të bëjnë rrotullimin në drejtim të Elbasanit dhe do të lehtësohet trafiku për të gjithë automjetet që vijnë nga Elbasani për në Tiranë.

Shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe nga drejtori i ARRSH-së Ervis Berberi, kryeministri Edi Rama nënvizon rëndësinë e projekteve të tilla.

Ai kërkon që qytetarët të mos u prishin planet dhe të mos pengojnë punimet pasi shprehet se qeveria në mënyrë bujare ka trajtuar edhe ata banorë të cilët nuk posedojnë leje të pronave të tyre.

"Askush nuk mund të marrë peng punën dhe projektin. Jo nuk dua, kjo nuk funksionon. Siç nuk ka funksionuar as te Bulevardi i Ri, as te 5 Maji, nuk ka për të funksionuar as aty, as te Astiri. Nuk ka për të funksionuar.

Nuk do ta mbajme ne peng gjithë këtë qytet për njerëz që kujtojnë se me gjuhën e forcës dhe duke qenë komplet në paligjshmëri dhe të stimuluar dhe politikisht mund të bëhen pengesë dhe faktikisht bëhen thjesht pengje".

 Autoritetet kanë bërë të ditur se mbi 85% e punimeve kanë përfunduar teksa është duke u punuar në 5 Lote të projektit të Unazës së Madhe.