Vrau të vëllanë dhe kunatën, avokati: Arma ishte me leje, bëri 7 kallëzime për çiftin, asnjë s'u hetua
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e vëllait dhe kunatës në Tiranë nga Arsen Muskurti .
Sa i përket arrestimit të tij avokati mbrojtës i Muskurtit tha se nuk ka qenë nga policia e Tiranës por është dorëzuar vetë në polici. Arma e përdorur në krim ishte armë me leje.
Ai kishte bërë 7 kallëzime në policinë e shtetit për vëllain e kunatën për arsye se e bullizonin dhe shantazhonin por nuk është marrë asnjë masë.
Ndaj është kërkuar dhe 30 ditë masa e arrestit në mënyrë që të paraqiten provat e nevojshme.
Avokati Idrizi: Për shkak të sekretit hetimor nuk do të flas. Arseni është dorëzuar vetë, më ka kërkuar mua që ta dorëzoj. Kërkohet masë sigurie pasi gjendja e tij është e jashtëzakonshme. Ai merr mjekim. Ai ka kryer 7 kallëzime penale ndaj të ndjerit dhe të ndjerës policia e shtetit nuk ka marrë asnjë lloj veprimi. Pjesa tjetër do të mbetet si sekret hetimor. Që nga 2018 e në vazhdim që ka pasur probleme me të vëllain merrte medikamente. Armën e ka pasur me leje.
Ai ka qenë i heshtur dhe nuk ka lëvizur nga vendi gjatë seancës, raporton gazetari i Ora News Edison Vatnikaj.
Si ndodhi ngjarja në Tiranë
Ngjarja ndodhi më 30 gusht 2022 në rrugën "Islam Alla" që lidh Rrugën e Kavajës me atë të “Myslim Shyrit” në Tiranë. Krimi i dyfishtë ndodhi rreth orës 16:45 minuta në një agjenci udhëtimesh.
Vëllai i autorit së bashku me gruan e tij i është drejtuar gjykatës për tu pajisur me urdhër mbrojtjeje nga autori i ngjarjes, seancë e cila do të zhvillohej me datën 6 shtator në gjykatën e Tiranës.
Viktimat janë Dritan dhe Nora Muskurti, 44 vjeç dhe 33 vjeçe ndërsa autori Arsen(Hamza) Muskurti u arrestua dy orë pas krimit të rëndë.
Çifti Muskurti ishin prindër të 3 fëmijëve.
Kamerat e sigurisë filmuan Arsen Muskurtin teksa hyn në dyqan, qëndron brenda 20 sekonda e del. Duket sikur kreu një pagesë e largohet por jo, la brenda dy të vrarë, vëllanë dhe kunatën.
Dy vëllezërit kanë qenë dikur ortakë në agjencinë turistike ku dhe ndodhi krimi, por më pas ishin ndarë dhe kjo ndarje e biznesit dyshohet se ka qenë dhe shkaku i konfliktit.
Nga policia u raportua se autori është larguar menjëherë, dhe ka rënë në prangat e policisë dy ore pas krimit te dyfishtë. Për kapjen e tij u përfshinë forcat operacionale të cilat arritën ti vënë prangat Arsen Muskurtit në zonën e "5 majit" në Tiranë.
Vrasja mësohet se ka ndodhur menjëherë pasi Arsen Muskurti kishte marrë fletë thirrjen e gjykatës, ndërsa viktimat kishin kërkuar urdhër mbrojtjeje nga Arseni.
