Kosova nis vitin e ri shkollor me Abetaren Unike, Ministrja Kushi: Fshin kufinjtë

Këtë vit arsimor nxënësit e klasave të para në Kosovë nisin mësimin me abetaren e njëjtë që do të mësojnë edhe fëmijët në shkollat në Shqipëri ku viti I ri shkollor nis më 12 shtator.

 “Fati i shkollës shqipe ka qenë i lidhur ngushtë me fatin e kombit tonë. Sot në gjirin e barazisë e lirisë kombin tonë e bashkon dhe kjo abetare unike. Po materializohet frymëzimi I trashëguar ndër breza që na ka mbajtur të lidhur” tha kryeministri Albin Kurti në ceremoninë zyrtare që u mbajt sot paradite në Gjakovë.

Të pranishëm janë dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit znj. Arbërie Nagavci, Kryetari i Komunës së Gjakovës z. Ardian Gjini edhe një delegacion nga Shqipëria e drejtuar nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi.

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë Evis Kushi tha se abetarja fshin kufinjtë mes Shqipërisë e Kosovës. 

"Kjo abetare nuk është vetëm libri I parë më i paharruar por do të fshijë kufinjtë mes Shqipërisë e Kosovës. Është libri që do na bashkojë më shumë sepse jemi një komb e kemi një gjuhë” tha Kushi.

Ndërkohë mësimdhënësit janë në grevë për shkak të vështirësive financiare.

"Kemi shumë sfida përpara por kemi dhe vullnetin e përkushtimin për tu përballur. E di se sot shumë nxënës për shkak të grevës nuk janë në klasa por jam e bindur që shqetësimin e ndajmë bashkarisht. Arsimi është prioritet për qeverinë. Kemi nisur iniciativa të shumta që efektet e të cilëve do të shihen në ditët në vijim” tha ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit znj. Arbërie Nagavci.

Një nismë e tillë kërkohet që të vijohet me njësimin e kurrikulës së sistemit arsimor.

Është përgatitur dhe teksti e nivelit të parë Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare dedikuar fëmijëve në mërgatë e që do të shpërndahet gjatë muajit shtator.

 “Populli unë e di se përbashkimi është i domosdoshëm për të mirën e të gjithë kombit për ecjen e tij përpara. Si në periudha të ndryshme historike ku prijësit tonë u bënë bashkë dhe ndërtuan kalimin prej ndjenjës së fuqishme identitare tek vetëdija e lartë kombëtare, jemi ne që duhet të vazhdojmë jetësimin e idesë politike me programe e politika zhvillimore e aktivitete të përbashkëta edukative e arsimore” tha Albin Kurti.