Kurti: Deri më 31 tetor në qendrat komunale të Regjistrimit të Automjeteve do të bëhet konvertimi i targave

Zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi për reciprocitetin e targave ka nisur mëngjesin e sotëm, datë 1 shtator.

Teksa procesi po vijon normalisht në pikat doganore të kalimit kufitar, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, përmes një videoje në faqen e tij zyrtare në Facebook deklaroi se nga sot deri më 31 tetor në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do ta zhvillohet procesi i konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Albin Kurti: Nga sot e deri më 31 tetor, për gjithsej 61 ditë në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do ta zhvillojmë procesin e konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

Në Kosovë janë gjithsej 401.945 vetura me targa RKS. Prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2% të tyre.

Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA" që t'i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro.