Kurti: Nëse Serbia lëshon dokumente hyrëse-dalëse dhe ne do bëjmë të njëjtën gjë
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nëse Serbia vazhdon të lëshojë dokumente për hyrje –daljet në kufi atëherë dhe Kosova do të veprojë njësoj.
Në një deklaratë për mediat tha se do të zbatojë parimin e reciprocitetit.
Sipas tij nëse qytetarëve të Kosovës kalojnë një kufi dhe nuk u kërkojnë një dokument tjetër përveç letër njoftimin, apo edhe nëse u japin një dokument shtesë, e njëjta gjë do të ndodhë dhe me qytetarët e Serbisë që futen në Kosovë.
“Në momentin që Policia e Republikës së Kosovës të më njoftoj mua si kryeministër, dhe ministrin e Brendshëm (Xhelal) Sveçla se teksa qytetarët tanë kalojnë në anën tjetër të kufirit dhe askush nuk ua kërkon një dokument tjetër, apo ua jep një dokument shtesë, ne natyrisht se nuk kemi nevojë ta zbatojmë dokumentin e hyrje-daljes. Nuk ka dokumente përcjellëse, vetëm tregohet karta e identitetit dhe do të duhej që qytetari i Kosovës kur kalon nëpër Serbi ose kur shkon në Serbi, ta bëjë këtë lirisht, pa marrë asnjë dokument tjetër, dhe njësoj kur vjen ai i Serbisë nuk do të ketë nevojë që as polici jonë t’i jep dokument shtesë. Ne nuk konfiskojmë dokumente, por për shkak se u vendos reciprociteti, nuk ka nevojë as të japim dokumente. Nëse teorikisht e rastësisht Serbia vazhdon të lëshojë dokumente të tilla, atëherë do të detyrohemi edhe ne në bazë të parimit të reciprocitetit."- tha Kurti.
