Tirana tregon forcën në Rrogozhinë. Kampionët kalojnë lehtë
Kallaku dhe Hasani mjaftojnë për Tiranën në ndeshjen e dytë të sezonit në Superiore. Transferta e Rrogozhinës rezultoi e lehtë për bardheblutë që momentin më të vështirë e kaluan në minutën e 33 kur mesfushori Qefalija u dëmtua dhe humbi ndjenjat por pas transportimit në spital gjendja e tij u stabilizua.
Kallaku pas një harkimi të Xhixhës nga e majta shënoi golin e parë me kokë duke zhbllokuar sfidën që kampionët nuk e vendosën asnjëherë në dyshim. Skuadra e Orges Shehit tregoi karakter dhe dhuroi një provë force që u konfirmua me golin e Hasanit pas nje aksioni personal në pjesën e dytë.
Tre pikët e para të Tiranës në sezonin e ri pas barazimit 1-1 në Kukës qe i japin optimizëm grupit nga i cili janë larguar disa lojtarë në merkaton e verës.
Në krahun tjetër, Egnatia duket në një minikrizë rezultatesh edhe pse është ende herët për ta thënë një gjë të tillë.
