Ukrainë, ndeshja zgjat më shumë se 4 orë, skuadrat u strehuan në bunkeret kundër bombardimeve

Lufta nuk e ndalon futbollin në Ukrainë ku nën rebeshin e bombave kampionati ka rinisur me fushat e boshatisura. Por ndërkohë që pjesa më e madhe e takimeve të javës së parë të Premier League ka shkuar sipas parashikimeve, rekordi është regjistruar në Lviv ku ndeshja mes vendasve të Rukh dhe Metalist Kharkiv zgjati plot 4 orë e 27 minuta.

Ndeshja u ndërpre disa herë për shkak të sirenave të alarmit të bombardimeve dhe skuadrat bashkë me të gjithë organizatorët u strehuan në bunkerët e sigurisë.

Takimi filloi në orën 15:00 dhe u mbyll në 19:27 me tre ndalesa të gjata dhe u mbyll 2-1 në favor të miqve nga Kharkiv. Të dyja skuadrat kaluan plot 145 minuta në vendstrehim ndërsa për fat të mirë, në qytet apo rrethina nuk u regjistruan shpërthime.