Van Basten: Cruyff do të turpërohej nga sjellja e Barcelonës nëse do të ishte gjallë

Rikthehet të flasë Marco van Basten dhe kur një ish-lojtar si ai ka diçka për të thënë, bota e futbollit tronditet. Legjenda holandeze, njohës i mirë i futbollit modern dhe mekanizmave të tij funksionues, bën një akuzë të drejtëpërdrejtë ndaj Barcelonës dhe mënyrës se si po sillet klubi katalanas me mesfushorin Frenkie De Jong të cilit i kërkon të rishikojë kontratën dhe të ulë pretendimet financiare pasi nuk arrin të teserojë të gjithë lojtarët që ka blerë në merkaton e verës.

Një çështje që e ka besdisur jo pak Van Basten i cili del në krah të mesfushorit duke theksuar se Johan Cruyff do t’i vinte turp për mënyrën se si po sillet Barcelona sot me lojtarët e saj.

“Do t’i vinte vërtet turp nëse do të shikonte se si Laporta po sillet me De Jong sot. Mendoj se sjellja e klubit është tërësisht poshtë standarteve të Barcelonës”.

I drejtëpërdrejtë Van Basten që duket shumë i zhgënjyer nga presidenti katalanas ndërsa nuk vë në diskutim vlerat e lojtarit të Kombëtares së Holandës që u transferua në Spanjë gjatë vitit 2019.