Kurti: Opsioni për targat neutrale erdhi nga Lajçaku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se opsioni për targat neutrale ka ardhur nga ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

 “Këto opsione për targa neutrale karshi statusit të Kosovës, kanë qenë opsione në Bruksel nga ndërmjetësi Lajçak, unë nuk e di se kush ia ka dhënë idenë ndërmjetësit”, ka thënë ai në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë.

Kurti ka thënë se opsionet e propozuara nga Lajçaku do t’i shpalosë pas takimit sot.

“Njëri prej opsioneve ka qenë që Kosova të lëshojë targa neutrale, t’ia kthejë vetes UNMIK-ut. Ka pasur kërkesa të shtyhet afati i implementimit të vendimeve, por kërkesa ka ardhur nga ndërmjetësi, jo nga pala tjetër. Gjithashtu ka pasur edhe diskutim lidhur me atë që qytetarët e Kosovës të mos trajtohen njësojë. Serbët që si kanë letërnjoftimet e Kosovës, por janë të Kosovës e në Kosovë të përjashtohen. Janë disa mijëra”, tha Kurti.