6 vite nga tërmeti në Itali që shkaktoi rreth 300 viktima, mes tyre dhe shqiptari Erjon Toro

Italia kujton sot një nga tragjeditë më të mëdha natyrore që ka prekur vendin, tërmetin e 24 gushtit 2016 i cili përfshiu 150 komuna italiane e mbi 600 persona, mes të cilëve dhe emigrantë shqiptarë.

Emigranti shqiptar Erjon Toro, baba i dy fëmijëve ishte një nga viktimat e këtij tërmeti që goditi Italinë qendrore. Prej disa vitesh familja shqiptare jetonte në Amatrice së bashku me dy fëmijët e tyre që në atë kohë ishin 5 e 3 vjeçe. Bashkëshortja e Erjonit mbeti e plagosur së bashku me fëmijët, por që fatmirësisht shpëtuan.

Italia kujton këtë event tragjik që në natën duke u gdhirë 24 gushti i 2016, shkaktoi 299 viktima, 388 të plagosur e shkatërroj komuna e banesa në rajonet Lazio, Umbria e Marche.

Në ora 3:36 min të mëngjesit të asaj dite të kobshme, një lëkundje sizmike 6.1 ballë goditi Italinë Qëndrore e shndërroj në gërmadha qytezën antike Amatrice e disa komuna pranë saj, Accumoli, Arquata del Tronto, Pecara del Tronto e Norcia.

Gjashtë vite nga kjo tragjedi Amatrice, qyteza kryesore e goditur dramatikisht nga ky tërmet, është ende një kantier i hapur. 

Raporti i fundit prezantuar nga Giovanni Legnini,  komisari i jashtëzakonshëm i emëruar nga qeveria për rindërtimin e zonave të dëmtuar nga ky event sizmik, konfirmojnë se janë ende 10 mijë kantiere ndërtimi publike e private të hapura, është përfunduar ndërtimi i 365 veprave publike e 315 të tjera ende në ndërtim e sipër. Si dhe janë rreth 22 mijë kërkesa të qytetarëve në pritje për të marrë kontributin shtetëror për rindërtimin e pronave të tyre të dëmtuara.

26 miliardë euro është dëmi ekonomik që tërmeti i 26 gushtit 2016 ka shkaktuar në Italinë qendrore e 1.9 miliardë prej tyre vetëm në komunën e Amatrices ku u regjistrua dhe numri më i madh i viktimave, 237 jetë njerëzore të humbura.

Gjatë ditës së sotme familjarët e viktimave kanë vendosur kurora me lule për të afërmit e tyre në monumentin përkujtimor, e Arqipeshkopi i Rietit, Domenico Pompilli ka mbajtur meshën e shenjtë në fushën e sportit të Amatrices.

Në ceremoninë zyrtare të kësaj dite të dhimbshme morën pjesë dhe ministrja italiane e Universitetit e Kërkimit Maria Cristina Messa.

Të pranishëm dhe lideri i Partisë Lidhja, Matteo Salvini, e deputetë të zonës nga forca të ndryshme politike.