Trafik kokaine në Itali, zbardhet aktiviteti i bosit shqiptar të drogës që e drejtonte nga Shqipëria

Pas 8 muajsh hetime autoritetet italiane të Antimafias së Perugia-s, në bashkëpunim me repartin e krimit ekonomike të Policisë Financiare të Umbrias, kanë zbardhur aktivitetin kriminal të një bosi droge me origjinë shqiptare që jetonte e vepronte në Perugia.

Për momentin me hetime ende në fazë delikate, drejtësia italiane nuk bën publik emrin e bosit të drogës e informon detaje të rëndësishme të një trafiku kryesisht kokaine, mes Shqipërisë e rajonit të Umbrias e që drejtohej nga shqiptari i arrestuar.

Gjithçka vepronte si një call center ku përmes telefonave e mesazheve që menaxhoheshin nga Shqipëria e që siguronin klientët e sasinë e kërkuar, droga transportohej e trafikohej në Itali.

Hetimet italiane kanë identifikuar se baza qendrore e këtij trafiku që vepronte si një tru operativ i centralizuar, ishte në Shqipëri e krahët vepruese ishin në Itali, ku drejtoheshin nga bosi i arrestuar.

Tetë muaj hetim vlejtën për të dokumentuar se bosi shqiptar fitonte të paktën 10 mijë euro në muaj nga trafiku e zotëronte shtëpi e apartamente që i vinte në dispozicion të korrierëve të drogës.

Puna e Policisë së Krimit Ekonomik, Guardia di Finanza zbardhi, skenarit tashmë të përsëritur të mjaft trafikantëve shqiptarë të arrestuar dhe më parë në Itali: jetë e shtrenjtë, banesa e apartamente në pronësi, makina luksoze, e të gjitha të siguruar falë përfitimit nga trafiku i drogës.

Një tjetër element i rëndësishëm i zbardhur nga antimafia e Umbrias, është se shumica e korrierëve që përdoreshin për këtë rrjet trafiku, ishin shtetas shqiptarë që hynin në Itali përmes vizës turistike me të drejtë qëndrimin 90 ditore e më pas zëvendësoheshin nga shqiptarë të tjerë që respektonin po këtë kohë qëndrimi duke punuar si korrierë droge.

Prokurori i hetimeve Giuseppe Petrazzini ka deklaruar se ky operacion zbardhi një trafik ndërkufitar droge mes Italisë e Shqipërisë e se bosi shqiptar është vënë në arrest me burg me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, organizimit kriminal e për shkelje të ligjit të emigracionit, pasi ndaj tij në të shkuarën ishte lëshuar urdhri i dëbimit nga territori italian.