Lufta në Ukrainë, na pret dimër i acartë

Lufta në Ukrainë ka hyrë në muajin e gjashtë, ndërsa kërcënimi është zmadhuar edhe më tej. Disa shpërthime pranë centralit më të madh bërthamor në Evropë, që ndodhet në Ukrainë, kanë sjellë frikë në krejt botën. Ndërkohë, shefi i NATO-s ka paralamëruar për një dimër të vështirë përpara.

Vrasja e gazetares ruse Dugina, vajza e kryeideologut të putinizmit, Aleksandër Dugin, ka sjellë shqetësime në Kiev.

Rusët po e trajtojnë si martire gazetaren që humbi jetën, ndërsa ukrainasit janë të shqetësuar se do të ketë bombardim të Kievit në ditët në vijim.

Ndërsa vera është duke u larguar, edhe vetë shefi i NATO-s Jens Stoltenberg ka shprehur pikëpamjen e tij për situatën në Ukrainë.

Ai tha se dimri do të jetë i vështirë. Ekonomistët kanë argumentet e tyre në rrafshin e ndikimit të luftës në xhepat e qytetarëve, por Stoltenbrg foli për vullnetet e palëve ndërluftuese dhe logjistikën.

Ne do të jemi pranë Ukrainës me armatim dhe logjstikë, tha Stoltenberg. Ndërsa shtoi më tej se kjo luftë dhe sovraniteti i Ukrainës i shërben sigurisë euro-atlantike.

Ditët e fundit nga luftimet në terren nuk kanë munguar as kërcënimet për bombardime afër centraleve bërthamore.

Udhëheqësi turk Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi për një katastrofë bërthamore në Ukrainë gjatë bisedimeve të tij me homologun Zelensky.

Një shpërthim afër objektit më të madh bërthamor të Evropës, në Ukrainën jugore, ka sjellë paralajmërime urgjente nga udhëheqësit botërorë dhe shefi i OKB-së, António Guterres se çdo dëmtim i centralit do të ishte i ngjashëm me "vetëvrasje".

"Ne jemi të shqetësuar. Nuk duam një tjetër Çernobil," tha Erdogan.