Kina dënon 27 persona për ilustrimet ‘tragjikisht të shëmtuara’ të fëmijëve në tekstet e Matematikës

Hetimi zbuloi se librat nuk 'reflektonin siç duhet imazhin plot diell të fëmijëve të Kinës'

Autoritetet kineze kanë dënuar 27 persona për botimin e një libri të matematikës që u bë viral për ilustrimet e tij “tragjikisht të shëmtuara”.

Një hetim prej muajsh nga një grup pune i Ministrisë së Arsimit zbuloi se librat ishin "jo të bukur" dhe disa ilustrime ishin "mjaft të shpifura" dhe nuk "reflektonin siç duhet imazhin plot diell të fëmijëve të Kinës".

Librat e matematikës u botuan nga People's Education Press pothuajse 10 vjet më parë dhe thuhet se u përdorën në shkollat ​​fillore në të gjithë vendin. Por ata u bënë virale në maj pasi një mësues publikoi foto të ilustrimeve brenda, duke përfshirë njerëz me fytyra të shtrembëruara dhe pantallona të fryra, foto djemsh që kapnin fundet e vajzave dhe të paktën një fëmijë me një tatuazh të dukshëm në këmbë.

Përdoruesit e mediave sociale u argëtuan kryesisht nga ilustrimet, por shumë i kritikuan gjithashtu se po sillnin "asgjësim kulturor" në Kinë, duke spekuluar se ato ishin akte të qëllimshme të infiltruesve nga Perëndimi në sektorin e arsimit.

Hashtag-ët e lidhur me ilustrime u panë miliarda herë, duke vënë në siklet Partinë Komuniste dhe autoritetet arsimore, të cilët njoftuan një rishikim të të gjithë teksteve shkollore "për të garantuar që librat i përmbahen drejtimit të duhur politik dhe orientimit të vlerave".

Në një deklaratë të gjatë të lëshuar të hënën, autoritetet e arsimit thanë se 27 individë u zbuluan se kishin "neglizhuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre" dhe u dënuan, përfshirë presidentin e shtëpisë botuese, të cilit iu dhanë dënime zyrtare, që mund të ndikojnë në pozitën e një anëtari të partisë dhe punësimin e tij në të ardhmen. Kryeredaktorit dhe shefit të redaktimit të departamentit të matematikës iu dhanë gjithashtu vërejtje dhe u pushuan nga postet.

Deklarata thoshte se ilustruesit dhe dizajnuesit "u trajtuan në përputhje me rrethanat", por nuk jepte detaje. Ata dhe studiot e tyre nuk do të angazhoheshin më për të punuar në hartimin e librave shkollorë ose punë të ngjashme, thoshte ajo.

Deklarata shumë kritike gjeti një sërë problemesh me librat, përfshirë kritikën për madhësinë, sasinë dhe cilësinë e ilustrimeve, disa prej të cilave kishin "probleme shkencore dhe normative".

Rezultatet e hetimit u panë dhe u diskutuan nga qindra miliona njerëz në Weibo, me disa që pyetën nëse me këto dënime u shkua shumë larg.