VIDEO/ Inter, leksion futbolli Spezias, Asllani debuton si zikaltër në Serie A
Nga OraNews Përditësimi i fundit 20 Gusht 2022, 23:25
Nëse në ndeshjen e parë Interi hasi vështirësi, sonte në “San Siro” kundër Spezias, nënkampionët e Italisë bindën në lojë dhe rezultat duke shkatërruar 3-0 kundërshtarët me gola të Lautaros, Correas dhe Calhanoglu.
Skuadra e Simone Inzaghit dhuroi një provë force dhe dha një sinjal shumë të rëndësishëm në drejtim të Milanit që këtë të dielë sfidon Atalantan në Bergamo, një 90 minutësh shumë i rëndësishëm për djemtë e Stefano Piolit. Vetëm 6 minuta për Kristjan Asllanin që debuton në kampionat me fanellën e Interit. Mesfushori shqiptar zëvendësoi në minutën e 84 kroatin Marcelo Brozovic.
Në ndeshjet e tjera të ditës së shtunë, Lazio u ndal në barazim pa gola nga Torrino, Sassuolo kaloi Leccen 1-0 ndërsa Udinese dhe Salernitana ndanë pikët.
