Milan, talenti argjentinas Alcaraz tërheq vëmendjen e Maldinit
Milan mendon edhe për të ardhmen. Pasi kompletoi skuadrën e parë për sezonin e ri, Paolo Maldini është vënë në lëvizje për të rinj të talentuar në Argjentinë dhe një i tillë është Carlos Alcaraz, mesfushori i Racing di Avellanda.
Mesfushori 20-vjeçar konsiderohet një nga të rinjtë më interesantë të futbollit amerikano-latin dhe zbuluesit e talenteve nga Milano po e ndjekin prej kohësh. Ai dëshiron që të nisë një aventurë europiane dhe parametrat fizikë e ndihmojnë të bëjë hapin e madh.
Bëhet fjalë për një lojtar 183 cm. të gjatë i cili ka aftësi shumë të mira teknike. Milani e ka piketuar talentin dhe kërkon të mbyllë me çdo kusht marrëveshjen me klubin argjentinas pasi në dritare qëndron edhe Porto, një nga klubet më aktive në merkaton e Amerikës së Jugut.
Lojtari vlerësohet rreth 18 milionë euro dhe Milan kërkon ta blejë e më pas ta lejojë të rritet edhe për një sezon te skuadra aktuale pasi hapësirat në grupin e Piolit aktualisht janë shumë të vogla.
