Partizani "buzëqesh" në fund, Skuka "ndriçon" të kuqtë

Skuka në minutën e shtatë shtesë, debutim më të tensionuar por edhe më të ëmbël nuk mund të kishte për Partizanin që kaloi me shumë vështirësi Egnatian në Elbasan. Trajneri Colella e nis me këmbën e mbarë aventurën e dytë shqiptare me skuadrën e kuqe që e pa veten fillimisht në disavantazh.

Ishte Camaj që përfitoi nga një pasiguri në pjesën e parë duke ndëshkuar kryeqytetasit. Pjesa e dytë ndryshoi tërësisht për të kuqtë që forcuan dhe freskuan mesfushën ndërsa Hoti transformoi në gol një penallti të fituar ndaj ish-it Atanda. 

Ndeshja u bë më e luftuar dhe në sekondat e fundit ku të dyja skuadrat rrezikuan të shënonin golin e fitores dhe fusha i dha të drejtë Parrizanit që iu fal të përhershmit Skuka. Shuplakë për Egnatian që zhvilloi një ndeshje me shumë volum dhe jep shenja se nuk do të jetë rival komod për asnjënkundërshtar këtë sezon. 

Në krahun tjetër, Partizani shtrëngon një fitore djerse në pritje të kolaudimit të plotë të grupit të kuq. 

Partizani "buzëqesh" në fund, Skuka