Partizani gjen sulmues, një njohje e vjetër zyrtarizohet tek të kuqtë
Partizani gjen sulmues pas shumë kërkimeve duke u rikthyer te një emër i vjetër. Victor da Silva bashkohet me të kuqtë pas një eksperience disa javore të Olympiacos Nicosia ku u transferua pasi kontrata e tij me Vllazninë përfundoi në fund të qershorit.
Kështu, pas dy sezoneve me fanellën kuqeblu, Da Silva mbetet në Kategorinë Superiore dhe zgjedh kryeqytetin për të vazhduar karrierën. 27-vjeçari nga Brazili ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me klubin e kuq.
Partizani i nisi kontaktet me lojtarin që prej disa muajsh por pasi dështoi për ta bindur të qëndronte në Shqipëri, Da Silva zgjodhi Qipron ku nuk arriti të bindte drejtuesit teknikë të skuadrës ishullore. Sezonin e fundit me fanellën e Vllaznisë, Da Silva luajti 26 ndeshje dhe shënoi 8 gola.
