Duke kënduar e kërcyer brenda festës së ‘shfrenuar’, kryeministrja finlandeze: Videot s’duhet të bëheshin publike

Kryeministrja finlandeze Sanna Marin e ka pranuar se ka bërë festë "në një mënyrë të zhurmshme" pas publikimit të videove private,  por tha se është e zemëruar që pamjet, të cilat shkaktuan kritika nga kundërshtarët politikë, u zbuluan në media.

Videot treguan Marin, udhëheqësen 36-vjeçare të Finlandës, duke kërcyer me miqtë në një mjedis privat.

"Këto video janë private dhe të filmuara në një hapësirë ​​private. Më vjen keq që këto u bënë të njohura për publikun," u tha Marin gazetarëve në Kuopio, Finlandë.

"Kam kaluar një natë me miqtë e mi. Festuam në mënyrë të zhurmshme. Kam kërcyer dhe kënduar", tha ajo.

Videon e kryeministres u bë virale ndërkohë që solli dhe reagime të shumta, ku disa deputetë i kanë kërkuar që t’i nënshtrohet testit të drogës .

Marin u tha gazetarëve se kishte konsumuar alkool, por ajo nuk ishte në dijeni të ndonjë përdorimi të drogës gjatë festës. Mbështetësit ndërkohë e kanë mbrojtur atë. Marin ka mohuar se publikimi i videove ishte pjesë e një skeme shantazhi. 

Nuk është hera e parë që jeta private e Marin politizohet në Finlandë. Ajo më parë i kërkoi falje publikut në vitin 2021 pasi u shfaq një foto e saj në një klub nate.