21 viktima në xhami/ Shpërthim në Kabul, dyshohet akt terrorist në Afganistan

21 persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim në një xhami në Kabul. Sulmin deri më tani nuk e kanë marrë përsipër asnjë nga grupimet.

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në një xhami në kryeqytetin afgan mbrëmjen e së mërkurës. Mediat raportojnë se 21 persona kanë mbetur viktime, ku mes tyre besohet të jetë edhe imami.

Po ashtu janë edhe 30 persona të tjerë të plagosur ku mësohet të ketë edhe fëmijë. Shpërthimi i fuqishëm është dëgjuar thuajse në të gjithë qytetin, teksa ka ndodhur gjatë faljes së mbrëmjes

Ambulancat janë parë shpejt në vendin e ngjarjes, ndërsa 3 prej të lënduarve kanë ndërruar jetë në spital.

Ekipet e inteligjencës janë duke hetuar rastin, por deri paraditen e së enjtes asnjë nga grupimet nuk e ka marrë përsipër sulmin.

Javën e kaluar një tjetër klerik u vra në Kabul. Në gjashtë muajt e fundit në Afganistan ka pasur disa sulme ku nuk kanë shpëtuar as autobusët e shkollave, me pasojë dhjetëra viktima.

Situata në Afganistan duket ende e paqartë, ndërsa me ardhjen në pushtet të talibanëve mijëra familje janë në varfëri. Po ashtu ISIS duket se ka fituar edhe më shumë pushtet pas ndryshimit të pushtetit dhe largimit të forcave ushtarake të aleatëve.