Duke kënduar e kërcyer, del video e kryeministres finlandeze nga festa e ‘shfrenuar’. Shpërthejnë kritikat ndaj saj

Kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, po përballet me një reagim të ashpër pasi u pa duke bërë festë.

Në pamjet, që mendohet se janë marrë nga rrjetet sociale , ajo dhe miqtë, përfshirë të famshëm finlandezë, shihen duke kërcyer dhe kënduar.

Ajo është përballur me kritika nga partitë opozitare, ndërsa një lider që i ka kërkuar të bëjë një test droge.

Zonja Marin, 36 vjeç mohoi të kishte marrë drogë, duke thënë se ajo pinte vetëm alkool dhe thjesht festonte "në një mënyrë të zhurmshme".

Vetëm javën e kaluar, zonja Marin u quajt "kryeministrja më e lezetshme në botë" nga gazeta gjermane Bild.

Duke komentuar videon ditën e sotme, ajo tha se e dinte se po filmohej, por ishte e mërzitur që videoja ishte bërë publike.

"Kam kërcyer, kënduar dhe festuar - gjëra krejtësisht të ligjshme. Dhe nuk kam qenë kurrë në një situatë ku kam parë ose njohur të tjerë duke përdorur drogë," shtoi ajo.

Udhëheqësja e partisë opozitare, Riikka Purra, i bëri thirrje zonjës Marin të bënte një test vullnetar të drogës, duke thënë se kishte një "hije dyshimi" mbi të.

Ndërkohë me tej siç raporton BBC ajo u shpreh para gazetarëve: Unë kam një jetë familjare, kam një jetë pune dhe kam kohë të lirë për të kaluar me miqtë e mi. Pothuajse njësoj si shumë njerëz të moshës sime.

Politikanja tha se nuk ndjente nevojë të ndryshonte sjelljen e saj. 

“Do të jem saktësisht i njëjti person siç kam qenë deri më tani dhe shpresoj se do të pranohet”, tha ajo.

Zonja Marin është në pushtet që nga dhjetori 2019 dhe ruan mbështetjen e partisë së saj.