Babai i Ramës firmosi varjen e poetit Havzi Nela, studiuesi: Nuk duhet të ishte kryeministër

Sot 34 vjet më parë Havzi Nela do të ishte artisti i fundit që do të varej në mes të qytetit të Kukësit, nga komunistët.

Studiues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Mentor Beqa, gjatë një interviste për RTV ORA me gazetaren Besmira Pelushaj foli rreth veprimtarisë së Nelës dhe kërkesës që ka bërë bashkëshortja e tij ditën e sotme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama pasi babai i këtij të fundit ka firmosur të mos i falet jeta Nelës.

Mentor Beqa: Nëse do të kishim zhvillime normal pas viteve '90 djali i anëtarit të ish podiumit komunist nuk do të ishte kryeministër. Di të them që ky është rasti që ai të mos ishte kryeministër sepse i ati i tij ka firmosur të mos i falet jeta një personaliteti si Havzi Nela. Në pikëpamje morale është përgjegjësi nga e cila duhet të distancohet.
 
Përkujtimi i Nelës sipas studiuesit Beqa do të ishte në nderin e shoqërisë sonë.
 
Mentor Beqa: Havziu është në vazhdën e një grupi të madh personalitetesh të një grupi të çmuar që është lënë në harresë. Veprimtaria e tij mbetet ende e pazbuluar siç duhet. Nela është një personalitet i jashtëzakonshëm. Për mua ai e përdor artin dhe poezinë si instrument të qëndresës politike. Është më shumë një qëndrestar politik sesa një poet disident.  Ai nuk ishte një njeri që fshihte botëkuptimin politik. Kemi të bëjmë me një personalitet me ndërgjegje të qartë politike. Regjimi komunist përmes ekzekutimit të tij kërkonte të shuante çdo kryengritje. Regjimi komunist donte të jepte një mesazh që edhe nëse do të ketë një ndryshim, ndryshimi do të jetë i kontrolluar. Përkujtimi i tij do të ishte në nderin e shoqërisë sonë.

Nela, pas një kalvari vuajtjesh dhe internimesh në kampet famëkeqe të komunizmit, u fut në burgjet politike të Burrelit, të Spaçit e me pas në 10 gusht 1988 u var në qendër të qytetit të Kukësit me akuzën e tradhëtisë së lartë ndaj Atdheut.