Francë/ E bllokuar prej një jave, nxirret nga lumi Seine balena belunga. Veterinerët në "luftë" për ta shpëtuar
Një balenë beluga e bllokuar në lumin Seine në Francë është nxjerrë nga uji në fazën e parë të një operacioni shpëtimi.
Balena katër metra, një specie e mbrojtur që zakonisht gjendet në ujërat shumë më të ftohta të Arktikut, ishte ngecur në lumë, në veri-perëndim të Parisit, për një javë.
Dhjetra veterinerë po prisnin në një maune për të trajtuar balenën pasi ajo u ngrit nga uji përmes një rrjete.
Rreth 80 persona janë përfshirë në shpëtim, duke përfshirë zhytës dhe efektivë të policisë.
Ekipit të shpëtimit iu deshën gati gjashtë orë gjatë natës për të ngritur nga uji balenën e sëmurë, që peshon 800 kg, me një maune.

Ekipet e shpëtimit po e zhvendosin atë në një kamion frigorifer që do ta kthejë në bregdet. Më pas ata do të shpresojnë ta trajtojnë kafshën për disa ditë përpara se ta lëshojnë përsëri në det të hapur.
"Është një operacion i gjatë shpëtimi, shumë teknik, i cili kërkonte shumë aftësi," tha Isabelle Dorliat-Pouzet, sekretare e përgjithshme e prefekturës Eure.
Beluga u bllokua më shumë se 100 km në brendësi të tokës dhe shëndeti i saj u përkeqësua pasi nuk arriti të hante.
Specialistët e kafshëve janë në gatishmëri të vazhdueshme gjatë lëvizjes.
"Mund të ketë probleme të brendshme që ne nuk mund t'i shohim," tha një eksperte nga parku i kafshëve detare Marineland në Francën jugore - megjithëse shtoi se belugat janë "jashtëzakonisht të qëndrueshme" si specie.
Njerëzit u mblodhën në brigjet e lumit në Saint-Pierre-La-Garenne në Normandi për të parë shpëtimin - ndërsa interesi për mbijetesën e balenës u përhap përtej Francës, raporton BBC.

