Kredi me prona publike për Incineratorin e Tiranës, paratë në Holandë. Partia e Lirisë publikon skandalin tjetër

Partia e Lirisë ka sot publikuar prova të tjera për të denoncuar publikisht incineratorin e Tiranës si një aferë korruptive.

Në dokumentat që pritet t’i vihen në dispozicion edhe Prokurorisë së Posaçme faktohet që kompania private ka marrë 8 kredi në bankat e nivelit të dytë duke vënë si kolateral pronat publike me “bekimin” e Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

Janë vënë në dispozicion të kësaj skeme të mirëorganizuar dhe strukturuar kriminale prona publike që janë lënë peng për banka të ndryshme këtu për paratë që shkojnë përtej detit e më larg” tha kryetari i PL-së Ilir Meta i cili doli sot në një konferencë për median me Brisida Shehaj, koordinatoren kombëtare antikorrupsionit e kësaj partie që paraqiti më tej faktet e këtij skandali.

Kordinatorja për luftën ndaj korrupsionin në Partinë e Lirisë shtoi më tej se disponon dokumenta që incinertori i Tiranës ka përfituar edhe nga garancia sovrane e vendosur në dispozicion nga qeveria gjatë kohës së pandemisë.

Shehaj thotë që pjesë e kësaj afera korruptive nuk u bë një nga banka e nivelit të dytë, pasi i refuzoi të disbursonte pjesën e mbetur të kredisë.

Por në thellim të këtij skandali, Partia e Lirisë hedh të tjera akuza me pretendimin se të gjitha paratë e marra me garanci pronat publike nuk janë investuar por janë transferuar jashtë vendit.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Këta para që janë marrë për kredi nuk kanë shkuar për investim. Ne do të bëjmë publike sa janë paratë e marra nga buxheti I shtetit, privati, kreditë nëpër banka dhe vlera reale e investimit, ju garantoj se është zero lek investim nga kompania mëmë derimë sot” tha Shehaj.

“Në vend që lekët të vinin nga Holanda këtu për të investuar shkojnë lekët e qytetarëve në Holandë e në vende të tjera” akuzon Meta

Kryetari i kësaj partie pretendon që Erion Veliaj nuk është fajtori i vetëm, pasi sipas tij kryebashkiaku i Tiranës nuk mund të veprojë pa patur aprovimin e shefit të tij.

Meta akuzon Ramën si "koka e këtij grupi të strukturuar kriminal" dhe tërheq vëmendjen e SPAK se "ndërsa hetimet po ecin me hapin e breshkës vjedhja po vijon me hapin e kangurit"

Nësë nuk do të ketë drejtësi, Ilir Meta paralajmëron gjyq popullor.