Pronarët e mjeteve ujore protestë tek Drejtoria e Policisë Tiranë, 4 përfaqësues takim drejtorin e policisë kufitare
Për rreth dy orë pronarët e jetskive kanë zhvilluar një takim me drejtorin e kufirit dhe emigracioni, Sajmir Boshnjaku, ku temë e diskutimit ka qenë urdhëri i drejtorit të përgjithshëm për bllokimin e të gjitha mjeteve ujore, vendimi që pasoi tragjedinë e Potamit, ku humbi jetën 7 vjecarja Jonada Avdiaj.
Skerdilajt Xhametaj, përfaqësuesi i pronarëve të këtyre mjeteve ujore, pas takimit u shpreh se drejtori i kufirit u ka dhënë fjalën që situata do të marrë zgjidhje për pak ditë.
"Unë operoj në Shkëmbin e Kavajës. Është viti i parë në atë zonë, nuk ka patur asnjë lloj problematike. Po të shohin historikun e secilit prej nesh mund ta shohin nëse kemi qenë problematikë apo jo. Të gjitha masat e sigurisë, me litarët, bovat përkatëse janë respektuar dhe janë verifikuar dhe nga policia," tha ai.
Pronarët e motorrave të ujit thanë se urdhëri i bllokimit të aktivitetit të tyre u ka ardhur gojarisht, pa pasur një vendim zyrtar.
"Nuk kemi një vendim nga drejtoria e përgjithsme që ne të bllokojmë mjetet ujore. Është vetëm fjalë goje. Vetëm një telefonatë që asnjë mjet lundrues të mos dalë në lundrim. Dhe tani vetëm presim, s'dimë cfarë të bëjmë," tha ai.
Sipas tyre, ata respektojnë të gjitha perimetrat e sigurisë dhe se me mjetet e tyre nuk është regjistruar asnjë incident.
"Patëm një takim me drejtorin e përgjithshëm të kufirit. Na foli për masat që janë marrë për mjetet lundruese. Ka një bashkëpunim nga drejtoria e kufirit dhe agjensitë rajonale. Shpresoj të ketë një finalizim të kontratës. Nga ana jonë nuk ka asnjë pengesë," tha një tjetër pronar.
Burimet bëjnë me dije se policia ka nisur verifikimin në vendet ku mbahen skafet dhe nëse këto operatorë i plotësojnë kushtet e sigurisë.
Krahas kontrolleve po kryhet kontrolli i dokumentacionit për 200 jetski që aktualisht janë nënsekuestro nga policia dhe nëse rezultojnë të rregullta do ti rikthehen pronarëve për të vijuar aktivitetin e tyre.