"Skafe që vrasin", frika i heq nga qarkullimi në Velipojë, në Sarandë u dhanë dhjetra licenca
Tragjedia e Himarës ka angazhuar forcat e policisë që të zbresin në terren për të parë situatën kaotike me skafe e motorë uji, që shkojnë deri tek çadrat e pushuesve. Në Velipojë, frika e dy ditëve të fundit ka bërë që bizneset të fshehin skafet e tyre, ndërsa në Sarandë, dhjetëra licensa janë lëshuar për mjetet ujore për familje dhe biznese.
U desh që një vajzë 7 vjeçare të vdiste nga një skaf në Himarë, që institucionet përkatëse të mësynin brigjeve të Adriatikut dhe Jonit për të kontrolluar territorin.
2 ditët e fundit, nga frika, në Velipojë janë zhdukur nga qarkullimi mjetet motorike detare.
Ndërkohë, pushuesit në këtë plazh kërkojnë që këto mjete të hiqen plotësisht për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin.
"A janë të shtetit apo të privatit, këtë s'po e kuptoj. Shteti e di që njerëzit mund të vriten, të mbyten. Si s'qenka problem të mbytet fëmija?! Edhe vjet ka ndodhur që janë mbytur.
Duhet të merren masa. Të jenë të vetëdijshëm ata që përdorin motora, që kur ka njerëz të mos lëvizin aty," thonë pushuesit.
Por pavarësisht ngjarjes tragjike në plazhin e Potamit, në Himarë, gjatë së mërkurës qytetarë të shumtë kanë postuar video në rrjetet sociale të manovrave të rrezikshme të skafeve e motorëve pothuajse në të gjithë vendin.
Në Sarandë ndërkohë, kapiteneria atje tha se janë të regjistruar 23 motorë uji, të njohur si "Jet Sky", nga të cilat 7 janë të huaj. Ndërkohë 98 mjete të tjera lundruese janë familjare. Dhe anije turistike me liçence jane 18.
Gjatë 2 muajve të fundit, Policia Kufitare e Sarandës ka bllokuar 29 mjete lundruese, konkretisht 14 skafe dhe 15 "Jet ski".




