Ilaçi për leuçemi mungon në QSUT, familjarët e pacientëve e blejnë në farmaci
Kjo zonjë nga Tirana u detyrua të enjten ta blej në farmaci medikimanetin që i nevojitet bashkëshortit që vuan nga leuçemia akute.
Ilaçin “Ciklofosfamide 500 mg” që është i domosdoshëm për seancat e kimioterapisë e kanë përfituar falas përgjatë tre muajve.
Në gusht, mjekët e QSUT-së i thanë se medikamenti mungon ndaj duhet ta sigurojnë vetë.
"Burri im bën kimioterapi. Ka bërë tre muaj kimioterapi pa lekë, falas ndërsa në muajin e katërt duhej të blinte ilaçin që ka në recetë. Nuk ka, na thanë. S'ka ardhur fondi. Nuk ka as tek magazinat. Na thanë që muajin tjetër do vijë," thotë qytetarja.
Në farmaci ai kushton 6 mijë lekë dhe vlen vetëm për një seancë kimoterapie. Bashkëshortja e pacientit me iniciale P.P thotë se në muaj i duhen 30 mijë lekë për të përballuar koston e ilaçit.
"Unë s'mundem që ta blej. Jam me qira, burri është pa punë. Fëmijën e kam të vogël dhe nuk mundem më ta blej këtë ilaç. I bëj thirrje institucioneve që të paktën këta që janë me sëmundje të keqe të kenë ilacet, se nuk i përballojmë dot. Ose nëqoftëse nuk ka spitali, s'duhet të kenë as farmacitë. Nga i marrin farmacitë ilaçet që i shesin," thotë ajo.
Të njëjtin shqetësim e kanë shumë pacientë në QSUT që vuajnë nga leuçemia akute. Për shkak të pamundësisë ata po detyrohen ta blejnë ilaçin bashkë e të marrin nga gjysmë doze.
"E ndajmë përgjysmë gjilpërën që morëm. Nuk kisha mundësi t'ja blija të gjithën burrit sot. Doza duhet të merret e plotë, po nuk kisha mundësi," tha ajo.
Po ashtu “Imatinib” është mes shumë medikameneteve që u mungojnë në spital pacinetëve të diagnostikuar me leuçemi. Muajt e fundit me të tillë problematikë po përballen edhe fëmijët që vuajnë nga kjo sëmundje.
