Pushime në çadra kampingu, i riu nga Kosova ndan eksperiencën në plazhin e Krorëzës: Deri tani s'kemi takuar ndonjë gjarpër

Plazhi i Krorëzës është një nga xhevahirët e shumtë e Rivierës shqiptare. Në ndalesën e saj, Ora Verore takoi një grup të rinjsh nga Kosova, të cilët kishin zgjedhur të pushojnë me çadra kampingu në këtë plazh.

"E kam parë në Instagram. U shkrova vendasve për informacion. Shkuam në Sarandë, morëm anijen dhe erdhëm këtu. Kemi katër netë këtu, do rrimë dhe sonte dhe nesër ikim. Gjithçka ka shkuar shumë mirë. Na kanë thënë që mund të kemi probleme me gjarpërinjtë  por deri tani nuk kemi parë asnjë. Besoj se çdo vit do të vij me shokë ose familje. Kemi me eksploru dhe vende të tjera ku nuk shkohet me makinë".

I riu nga Kosova e konsideron një eksperiencë të paharrueshme saqë e mendon të heqë dorë nga pushimet e luksit.

"Secili ka mënyrën e vet të të bërit të pushimit. Unë e kam bërë një pushim si gjithë të rinjtë. Por kjo eksperiencë nuk krahasohet me asgjë, larg asfaltit, makinave, larg gjithçkaje. Personalisht  po mendoj që nuk do të shkoj më në vend ku bllokohesh, shtriju në shezlong dhe vetëm rri. Është një eksperiencë e paharrueshme që do ta provoj dhe shumë herë të tjera.