Qyno: Efektivë të reparteve speciale dhe komandot e Zall Herrit, truproja të bosëve të kokainës dhe oligarkëve në Tiranë

Dy ditë më parë, gazetari kronikës së zezë, Elton Qyno,  do të bënte një denoncim të fortë në faqen e tij në facebook ku shprehej se 3 reparte speciale të policisë dhe Zall-Herri i Ushtrisë janë marrë me koncesion nga bosët e kokainës që ndërtojnë në Tiranë.

Sipas tij, Gledis Nano, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në tavolinën e tij, ka një dosje operative të lënë nga paraardhësi i tij, Ardi Veliu, për veprimtarinë jashtë detyrës të çdo efektivi të RENEA-s, FNSH-së, Gardës, RESI-t dhe komandove të Zall Herrit.

Kjo dosje, sipas Qynos, ka të fotografuar në HD aktivitetin jo normal, të disa prej efektivave të RENEA-s, RESI-t, FNSH-së, Gardës së Republikës dhe repartit special të Ushtrisë në Zall-Herr.

Dosja që ndodhet në zyrën e Gledis Nanos, jep në mënyrë fotografike një tablo të qartë se si, efektivë të RENEA-s, Zall-Herit dhe Gardës së Republikës, janë në shërbim të bosëve të kokainë sdhe disa prej oligarkëve më të njohur të Tiranës.

Fotografime që sipas tij japin një intenerar lëvizjeje të punonjësve të policisë së Shtetit, duke i qëndruar pas bosëve, nga TEG-u, në ish-Bllok, nga stadiumi në kantiere ndërtimi.

Në një intervistë për Rtv Ora, Qyno thotë se arrestimi i sotëm i ish-efektivit të RENEA-s ishte prova më e qartë e kësaj historie.

Qyno: Është e vërtetë dhe teje shqetësuese. Kam folur për një dosje që ndodhet në zyrën e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, Gledis Nano. Është një dosje operative që ka fotografuar të gjithë dinamikën dhe veprimtarinë e paligjshme dhe jo normale që kryejnë efektivë të këtyre pesë reparteve speciale nga Garda, FNSH, RENEA, RESI dhe komandot e Zall-Herrit. Kjo është shqetësuese dhe alarm për shtetin jo vetëm për faktin se këta individë shoqërojnë këta persona me precedent penalë dhe që njihen dhe nga policia si persona që lëvizin tonelata droge jo vetëm në Shqipëri por edhe vende të tjera të Europës, dhe që sigurisht është një këmbanë alarmi që shteti duhet të gjejë forma dhe rrugë të tjera për të trajtuar punonjësit e policisë. Shkrimi im u bë dy ditë para se të arrestohej sot një ish-punonjës i RENEA-s. Kjo faktoi ato që unë kisha thënë, që efektivë të RENEA-s dhe reparteve të tjera speciale janë të implikuar me grupet kriminale duke u vënë në shërbim të tyre në orar të punës.

Çfarë përmban dosja

Qyno: Është dosje e hershme. E ka bërë Grupi Operacional dhe Shërbimet e Kontrollit të Brendshëm në Policinë e Shtetit. Ka pasur masa disiplinore, transferime, pezullime, ulje në gradë por realisht pjesa më e madhe e punonjësve të këtyre reparteve nuk janë larguar nga puna. Por duhet të pranojmë se nëse një efektiv i repartit special RENEA apo RESI-t që është reparti për mbrojtjen e personaliteteve të drejtësisë apo bashkëpunëtorëve të drejtësisë merr një pagë 80-90 mijë lekë dhe ndërkohë për 5 orë shërbim që ai shkon te një eksponent kriminal paguhet 4-5 mijë euro sigurisht që është një shifër tunduese. Këtu duhet të ndërhyjë shteti. Dosja ka filmime, përgjime dhe ka material fotografik. Padyshim këto janë prova për të vënë me shpatulla pas murit këdo që kundërshton çdo veprim që merret nga drejtori i Përgjithshëm për pezullim apo transferim. Sigurisht që ajo dosje është bërë dhe për tu bërë presion efektivëve të policisë. Duhet të pranojmë që këto janë reparte speciale që i duhen shtetit.

Ish-efektivi i RENEA-s në makinë me të dënuarin për vjedhje

Ish-efektivi i repartit RENEA Remal Rada, i cili u arrestua gjatë operacionit të fundit të policisë të koduar me emrin “Double Strike” kishte lënë detyrën 6 muaj më parë. Ai kishte vetëm 4 ditë që ishte kthyer nga Anglia në Shqipëri, ku në Tiranë lëvizte me një automjet luksoz me targa angleze. Ai ishte bashkë me Elton Hithin një 28-vjeçari nga Laknasi, i dënuar më parë nga gjykata e Tiranës për "vjedhje me dhunë”.

Qyno: Personi ishte i dënuar për vjedhje me dhunë, me armë. Ndërkohë ish-efektivi kur e ka bërë këtë gjë për 4 muaj që e ka lënë detyrën e policisë pranë reapartit special RENEA, kush më garanton mua që ai këtë gjë nuk e ka bërë dhe gjatë kohës që ka qenë në shërbim? Si është e mundur që ky efektiv policie që ka marrë pjesë në dhjetëra operacione, kur di forcën e ligjit, di masën e dënimit të kësaj veprimtarie kriminale që po kryen, si është e mundur që tundohet dhe implikohet në këtë aferë kriminale? Nuk dua ti përshij të gjithë efektivët që punojnë pranë reparteve por këta dashur pa dashur tundohen nga shifrat e majme që kanë eksponentë të krimit të organizuar në Shqipëri dhe vihen në shërbim.Rasti i sotëm ishte tipik i asaj që kisha thënë dhe që kisha denoncuar. Shpresoj që ky rast do të sjellë një analizë të fortë në policinë e shtetit për të bërë një skaner dhe mini-vetting të efektivëve të forcave speciale, të cilët dashur padashur bien në shërbim të këtyre bosëve të krimit.

Precedenti me Zall Herrin në ish-Bllok

Qyno kujtoi dhe vrasjen në ish-Bllok në 2018 ku protagonist ishte një komando e Zall Herrit.

Qyno: E kemi parë dhe rastin e 4 tetorit të vitit 2018 në ish-Bllok ku dy grupe kriminale u përballen në ambjentet e një lokali dhe në fund njeriu që vrau ishte efektiv i repartit special të ushtrisë që ishte stërvitur në Zall Herr. Pyetja është çfarë donte ky efektiv në atë lokal? Mund të ishte aty dhe shumë pasiv sa i përket përdorimit të armës apo përfshirjes në atë konklikt. Por jo, ai ishte në shërbim të ruajtjes së bosëve të krimit dhe kokainës dhe njohuritë që kishte marrë në repartin shtetëror në Zall Herr i vuri në zbatim në atë ngjarje. Ishte njeriu i ushtrisë që mori jetë.