"Çfarë pune ka ky me hartat dhe kufijtë e Kosovës?" Meta zbulon prapaskenat e padisë së Ramës ndaj Haradinaj
Ish-presidenti, Ilir Meta, ka zbuluar prapaskenat e padisë së kryeministrit Rama ndaj ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.
Duke folur në Konventën e LSI që nga sot do quhet Partia e Lirisë, Meta tha se padia ishte mesazh për të treguar dobësi në sytë e ndërkombëtarëve ndërsa tërheqja prej saj frika e Ramës se do kapej se kishte luajtur me hartën e Kosovës.
Meta: Ju mendoni se u nxeh ai vërtet me kryeministrin e Kosovës që e akuzoi për çështjen e kufijve dhe e hodhi në gjyq publikisht? Jo e mori porosi që të bëjë një lajm ndërkombëtar. Kush ishte lajmi? Kryeministri i Shqipërisë hedh në gjyq kryeministrin e Kosovës, kaq mjafton për të treguar se kush është niveli dhe standardi ynë. Pastaj u tërhoq. Po të shkonin në gjyq aty ishin dhe dëshmitarët dhe dilte se ky miku vërtet bën lojëra me hartat e Kosovës. Çfarë pune ka ky me hartat dhe kufijtë e Kosovës? Mirë tregton pasuritë tona dhe hapësirat tona, po me Kosovën çfarë ka ky? Njerëzit janë vrarë dhe janë shuar për atë pavarësi dhe shtet.
