Meta i kujton Ramës deklaratën për President të përbashkët Shqipëri-Kosovë: E kishte porosi nga Vuçiç, i prishi punë në OKB
I zhveshur nga kostumi i presidentit, Ilir Meta, lëshoi akuza të ashpra në adresë të kryeministrit Rama duke e akuzuar për tradhti ndaj Kosovës.
Ai u ndal te deklarata e tij për President të përbashkët që sipas tij e kishte porosi nga Vuçiç.
Nga Konventa e LSI, Meta tha se kjo deklaratë do të shkonte në disfavor të avancimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Ilir Meta: Refuzoi se duhej patjetër konfrontim, Shqipëria duhej të paraqitej patjetër si vend anormal sepse një vend i tillë nuk mund të ishte i besueshëm për të mbështetur forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës sepse Kosova duhej të copëtohej, duhej ti falte pjesën më vitale dhe të pasur dikujt tjetër. Nëse ka një vend në botë që është i fundit që mund të vërë në diskutim pavarësinë, sovranitetin, integritetin e Kosovës dhe që kurrë nuk duhet ta bëjë këtë është Republika e Shqipërisë.
Por ja që artisti kishte marrë dhe ka marrë detyra të mëdha përsipër. Mos mendoni ju se është vërtet kaq patriot ai dhe emocional saqë ditën që në parlamentin e Kosovës festohet 10 vjetori i pavarësisë në një seancë solemne, kryeministri i Shqipërisë deklaron para të gjithëve se ai kishte përfytyrimin se në një kohë të afërme Shqipëria dhe Kosova do të kishin një president të përbashkët.
Pra artisti dha mesazhin që kishte marrë për llogari të tjetërkujt, i cili gjoja u mërzit nga kjo deklaratë nacionaliste që pse duhet mbështetur Kosova që të ketë vend në OKB, kur ja këta e paskan planin që të kenë një president, të kenë një shtet dhe jo vetëm kaq por mundësisht të zhbëhen njohjet e Kosovës.

