Meta mbyll kapitullin e LSI: Që sot do quhet Partia e Lirisë

Lëvizja Socialiste për Integrim ka ndryshuar emrin e saj si forcë politike duke u pagëzuar me emrin Partia e Lirisë. Emri i ri u votua në Konventën Kombëtare të LSI që u mbajt në Pallatin e Kongreseve. “Rroftë Shqipëria e lirë dhe demokratike, rroftë Kosova shtet i pavarur, lavdi Kombit tonë, mirënjohje të gjithë atyre që themeluan LSI-në. Ta gëzojmë Partinë e Lirisë”- tha Ilir Meta. Anëtarët e Konventës Kombëtare votuan gjithashtu ndryshimet statutore si dhe ndryshimin e vulës.

"Do  matemi shumë shpejt, partia e patronazhistëve dhe Dushan Mugozhës dhe Partia e Lirisë dhe gjithë shqiptarëve."

Ilir Meta rikthehet në politike me emër dhe vulë të re. Nga Konventa  Kombëtare e LSI-së ai lajmëroi nisjen e një fushatë të fortë antiqeveritare.

Meta: Me besa-besë, me gjithë shqiptarët e ndershëm,me popullin e 2 marsit të shpallim non grata kleptokracinë, rilindjen mavi dhe atë pjesë të rilindjes blu, të pazareve të 17 majit.

Lëvizja e re e Ilir Metës do të jetë sovraniste dhe referendare. Nga foltorja e Konventës la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Berishën ndërsa shënjestroi edhe njëherë ish-kryetarin e demokratëve Lulzim Basha duke e akuzuar për lojëra me Edi Ramën.

Meta: Djegia e mandateve ishte e mirëplanifikuar nga mafia që drejton Shqipërinë, nga oligarkët që punojnë me dy palët. Që ti marrë Edi Rama të gjitha, që të mbyllë marrëveshjen e detit që e ka ngatërruar qëllimisht prej kohësh bashkë me Lulzim Bashën kur ka qenë dhe ky Ministër i Jashtëm, se nuk dua të flas më shumë.

Bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin, që drejtoi këtë forcë politike për 5 vite e çoi në shtëpi.

Meta: Burokracia e kryetarllëkut e kishte Monikën të futur në një kafaz që mund të ishte i bukur por ishte shumë i vështirë. Pengu i vetëm i imi është që nuk dëgjova Ilir Metën për djegien e mandateve. Mendoj se sot më shumë se kurrë shoqëria shqiptare është e etur për të pasur lirinë e veprimit dhe të votuarit.

Për dy muaj Ilir Meta do të jetë në krye të një Komitetit Organizator që do të drejtojë veprimtarinë e partisë për përgatitjen e Konventës Kombëtare.

Zëvendës ka diplomatin Agim Nesho, një prurje e re post-presidenciale e Metës.

Emrat e tjerë të këtij Komiteti janë pothuajse shumica e atyre që qëndruan në LSI-në e krijuar nga Ilir Meta.