Policia japoneze do të marrë masa pas tërbimit të majmunëve të egër
Policia japoneze po i drejtohet armëve qetësuese në një përpjekje për të frenuar valën e sulmeve të majmunëve të egër që kanë terrorizuar banorët.
Javët e fundit, 42 persona janë raportuar të plagosur në qytetin Yamaguchi – përfshirë fëmijë dhe të moshuar. Për sulmet fajësohen makakët japonezë.
Megjithatë, ndërsa ata janë një pamje e zakonshme në pjesë të mëdha të vendit, incidente si këto janë të pazakonta.
"Është e rrallë të shohësh kaq shumë sulme në një periudhë të shkurtër kohore. Fillimisht u sulmuan vetëm fëmijët dhe gratë. Kohët e fundit janë shënjestruar edhe të moshuar dhe burra të rritur."
Përpjekjet për të kapur kafshët me kurthe përfunduan në dështim dhe patrullat e policisë që nga sulmi i parë në fillim të korrikut nuk kanë arritur të pengojnë fajtorët.
Autoritetet janë gjithashtu të pasigurta nëse sulmet janë vepër e një majmuni të vetëm apo disa të tillëve.
Lëndimet kanë qenë të ndryshme, me mediat lokale që raportojnë se viktimat kanë marrë nga gërvishtjet, kafshimet e këmbëve dhe duarve, deri te qafa dhe stomaku i kafshuar.
Dikur një specie e pambrojtur, numri i makakëve japonezë është rritur kohët e fundit.
Megjithatë, rimëkëmbja e tyre ka shkaktuar konflikte serioze midis njerëzve dhe makakëve, sipas një studimi nga Universiteti Yamagata.
